Staroviq: Shërbimi sekret serb ka informata se Turqia i ka dhuruar Kosovës dronë

  • A.P /
  • 18 July 2023 - 17:35
Staroviq: Shërbimi sekret serb ka informata se Turqia i ka dhuruar Kosovës dronë

 Turqia po punon intensivisht në  trajnimin dhe pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me armatim, ka deklaruar sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, shërbimi sekret serb ka informata se Turqia i ka dhuruar Kosovës dronë, sisteme anti-tankë, mortaja dhe lloje të tjera të armëve, çka, siç citohet të ketë thënë ai, “e shkel Rezolutën 1244”. Për këtë, ai thotë se i kanë çuar një notë proteste ambasadorit turk.

“Natyrisht, ne kemi ndjekur gjithë procesin intensivisht, agjencitë tona që janë përgjegjëse për këtë kanë raportuar te udhëheqja shtetërore në detaje gjatë disa muajve, për gjithçka që po ndodh. Dhe, natyrisht, në përputhje me këtë, duke i përdorur kanalet diplomatike, i kemi paralajmëruar përfaqësuesit turq se çka po ndodh është absolutisht e papranueshme. Natyrisht, ata flasin për faktin se bëhet fjalë për një lloj marrëveshje tregtare, për shitjet”, ka thënë Staroviq.

Ai thotë se bëhet fjalë për armatime të cilat nuk i lejohen FSK-së t’i posedojë. Sipas tij, buxheti i ndarë për ushtrinë e Kosovës nuk mund t’i përballojë blerjen e dronëve turq, prandaj thotë se janë të sigurt se bëhet fjalë për donacion.

“Në anën tjetër, sipas gjithë asaj që ne dimë, duke llogaritur buxhetin e ndarë për FSK-në, ata nuk kanë para për ato gjëra dhe nuk bëhet fjalë për një marrëveshje tregtare dhe është e sigurt që janë donacione turke”.

(Kosova Sot Online)