Rozeta Hajdari: Në ministrinë që e drejtoj është vendosur që të mbrohet rendi dhe ligji

  • A.P /
  • 28 July 2023 - 21:02
Rozeta Hajdari: Në ministrinë që e drejtoj është vendosur që të mbrohet rendi dhe ligji

Pas shumë reagimeve ndaj vendimit të ministrisë së saj për pezullimin e licenës së televizionit Klan Kosova, është lajmëruar ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Hajdari ka thënë se në ministrinë që drejton është vendosur që të mbrohet rendi dhe ligji, për përjashtim dhe diskriminim.

Ajo ka thënë se për rastin e Klan Kosovës procedimi ka përfunduar dhe i ka bërë thirrje prokurorisë dhe policisë që të hetojnë shkeljet që sipas saj janë bërë nga Klan kosova dhe nga disa zyrtarë të ARBK-së.

 Reagimi i plotë:

 Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.

Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim.

Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht.

Për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar.

I ftoj Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh.

(Kosova Sot Online)