Drashkoviq paralajmëron “lëvizje radikale” goditëse nga SHBA-të

  • S.A /
  • 31 July 2023 - 08:26
Drashkoviq paralajmëron “lëvizje radikale” goditëse nga  SHBA-të

Vuk Drashkoviq, ish-zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, aktualisht kryetar i Lëvizjes Serbe për Rindërtim, ka thënë se promovimi i  “stabilokracisë” në Ballkanin Perëndimor nga Perëndimi, vetëm se e lehtësoi korrupsionin dhe nuk arriti asnjë rezultat për zgjidhjen e konflikteve rajonale, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, duke komentuar situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, aty ku tensionet ndër-etnike janë ende të larta, shkrimtari serb ka drejtuar gishtin tek ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila, sipas tij, ishte “strumbullari i strategjisë së stabilokracisë”.

“Merkel ishte strumbullari i strategjisë së stabilokracisë. Është e rëndësishme, me çdo kusht, të ruhet paqja në rajon, të korruptohen dhe lavdërohen liderët e prirur për trazira dhe ligësi, sepse një shpërthim i ri lufte mund të shkaktojë ballkanizimin e Evropës”, ka thënë ai, duke cituar deklaratat e udhëheqësve perëndimorë.

“Kjo është edhe e gabuar edhe e rrezikshme. Tumori duhet të hiqet, tumori nuk duhet të ushqehet. Kjo është arsyeja pse Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova janë shpirtërisht ende në vitet nëntëdhjetë. Është edhe më tragjike që ‘stabilokracia’ e Merkelit përkoi me strategjinë e Rusisë për ‘konflikte të ngrira’”, shtoi Drashkoviq, përcjell AP.

Ai ka komentuar edhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor, për të cilën ka theksuar se nga frika e shpërthimit të “konflikteve të ngrira” në zemër të rajonit e në mes të luftës në Ukrainë, do të përshpejtohen “lëvizjet radikale amerikane” edhe atë “shumë shpejt”.

(Kosova Sot Online )