Ja kush i reagon Petkoviqit pasi tha kufijtë e Kosovës janë të Serbisë

  • A.P /
  • 01 August 2023 - 22:37
Ja kush i reagon Petkoviqit pasi tha kufijtë e Kosovës janë të Serbisë

Drejtorit të të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq,  i ka reaguar Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Petkoviq ka reaguar i “nervozuar” me deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, i cili ka thënë se Kosova është shtet demokratik me kufijtë ekzistues që dihet se ku janë.

Pas kësaj, Petkoviq reagoi me retorikën e Beogradit se “kufijtë e Kosovës janë të Serbisë”.

Por, Vela përmes një postimi në Twitter i tha Petkoviqit se ai i di kufijtë nga kërkesat që i bën për vizita në Kosovë.

”Nga të gjithë zyrtarët e Serbisë, ju e dini më së miri se ku janë kufijtë e Kosovës, gjë që ju e shënoni në kërkesat tuaja për të vizituar Kosovën. Lista Serbe është e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës – sipas ligjeve Kosovës”, ka shkruar Vela. 

(Kosova Sot Online)