Peticioni për largimin e kryetarëve, Krasniqi: Një muaj kohë për Udhëzimin administrativ

  • S.A /
  • 02 August 2023 - 12:17
Peticioni për largimin e kryetarëve, Krasniqi: Një muaj kohë për Udhëzimin administrativ

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi sot se grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar udhëzimin administrativ, për nisjen e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga komunat, transmeton "Kosova Sot Online ".

Sipas tij, ky udhëzim administrativ nuk është për veriun e Kosovës dhe se nuk është i përpiluar në atë formë për largimin e kryetarëve nga zyrat. Kështu u shpreh ai pas vizitës në dy salla sportive ne Lipjan.

Ai tha se Ligji për Vetëqeverisje Lokale ka shumë mangësi dhe hapësirë të korrigjohet, por për plotësim-ndryshim nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve. Sipas tij, së fundmi kanë filluar udhëzimin administrativ mbi procedurat se si organizohet një peticion në komuna, ku ka kërkesë nga qytetarët për largim nga komunat.

Krasniqi shtoi se grupi punues ka kohë një muaj për draftimin e udhëzimit administrativ, ku qytetarët do të kenë mundësi hartimin e peticionit.

“Kemi formuar një grup punues profesional nga akterët e përfshirë në qeverisjen lokale edhe të shohim se cila do të jetë puna e tyre…Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundojë edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shtatori si udhëzim administrativ, në të cilën mund të referohen qytetarët, të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve apo largimin e kryetarëve.

Mirëpo, çka është shumë e rëndësishme të përmendet, ky nuk është një udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, është një udhëzim administrativ, i cili buron prej Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe një gjë të tillë nesër qytetarët edhe të komunës së Lipjanit mund ta shfrytëzojnë për pakënaqësinë e tyre në raport me kryetarin e komunës dhe largimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni”, deklaroi ai.

Më tej, ministri u shpreh se udhëzimi administrativ e përcakton rregullin se si organizohet peticioni.

“Udhëzimi administrativ përcakton rregullin se si organizohet peticioni, se si një peticion i iniciuar nga qytetarët është i pranueshëm. Mirëpo, përpilimi i peticionit nuk është largimi i kryetarëve nga zyrat, për shkak se pas kësaj ka edhe procedura tjera…

Ne kemi kryetarë të komunave në zyre, kjo është me rëndësi…peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune. Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrijnë të kenë 20 për qind të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë. Nëse nuk do të ketë, atëherë kjo do të mbetet aty dhe kryetarët vazhdojnë të punojnë”, tha ai.

(Kosova Sot Online )