Krasniqi: Qeveria Kurti po i vjedh edhe produktet bazike ushqimore

  • A.P /
  • 02 August 2023 - 18:00
Krasniqi: Qeveria Kurti  po i vjedh edhe produktet bazike ushqimore

Qeveria Kurti po i vjedh sofrat e qytetarëve, pas publikimit të një audio-incizimi ku një certifikues flet për presionin që po i bëhet për ta certifikuar grurin e blerë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndonëse mungonte një sasi e madhe e produktit, ka theksuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Krasniqi ka shpërndarë një pjesë nga fjalimi i tij në Kuvend, më 21 korrik të vitit të kaluar, ku kishte përmendur blerjen e grurit nga ministria.

Kreu i PDK-së thotë se aferat korruptive të Qeverisë po shumëfishohen dhe se kjo Qeveri nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Kësisoj, sipas tij, duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme qendrore.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Nga keqpërdorimi i qindra miliona eurove në energji, sot, Qeveria e Albin Kurtit, me emblemën e rreme të shpresës në ballë, ka futur duart edhe në sofrat e qytetarëve, duke vjedhur edhe produktet bazike ushqimore të rezervës shtetërore.

Afera e fundit – afera e grurit – është vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqëndruar në korrupsion e keqpërdorim. Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq. Apo ka?

Në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve, kjo Qeveri u koordinua edhe me një kriminel si Radojçiqi. Kundër shtetit dhe të ardhmes së qytetarëve, kjo Qeveri i tensionoi raportet me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kjo tufë keqbërësish i solli edhe sanksione Kosovës, ndërsa politikat e tyre të çoroditura po e shpopullojnë vendin anembanë – vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit gati 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendlindjen në kërkim të perspektivës diku në shtetet perëndimore.

Derisa aferat dhe skandalet korruptive po shumëfishohen, tri nga elementet bazë që e përbëjnë shtetin e së drejtës sot po i mungojnë Kosovës: transparenca, llogaridhënia, drejtësia! Por, që të trija këto do t’i kërkojmë e do t’i realizojmë – deshën apo s’deshën pushtetarët e sotëm.

Kjo Qeveri nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Kjo Qeveri nuk i mbron më interesat e shtetit. Zgjedhjet e reja dhe rikthimi i mandatit tek qytetarët janë e vetmja zgjidhje përpara. Sa më parë, aq më mirë – edhe për shtetin edhe për qytetarët!


(Kosova Sot Online)