Në këtë vend shfaqet grafiti 'Kur ushtria të kthehet në Kosovë'

  • A.P /
  • 03 August 2023 - 14:56
Në këtë vend shfaqet grafiti 'Kur ushtria të kthehet në Kosovë'

Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, është shfaqur më 2 gusht në Banja Llukë të Bosnje-Hercegovinës, afër rrugës kryesore që të çon në Prijedor, qytet ku janë kryer disa prej krimeve më të rënda gjatë luftës kundër banorëve joserbë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Grafiti i njëjtë është parë paraprakisht në disa qytete në Serbi.

Ai është krijuar nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.

Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge popullore të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije.

Në shkurt, aktivistët e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Asociacioni Krokodili, e kanë ngjyrosur me të kuqe këtë grafit në Sheshin Slavija të Beogradit.

Mirëpo, ai është rikrijuar në atë vend, dhe disa vende tjera në Beograd.

Prej fundit të vitit 2021, kryeqyteti i Serbisë është vërshuar nga grafite të Ratko Mlladiqit, të dënuarit nga Haga për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë.

Vizita e Vuçiqit në Banja Llukë

Grafiti në Banja Llukë është shfaqur në prag të një vizite të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Banja Llukë.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, e ka bërë të ditur se ai dhe Vuçiqi do të shkojnë të premten në Prijedor për të shënuar “Ditën e Viktimave Serbe”, në prezencë të udhëheqësisë më të lartë të këtij entiteti, Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Dodik ka thënë se Prijedori është zgjedhur si vend përkujtimor “sepse njerëzit e Prijedorit kanë qenë të parët që i kanë mirëpritur refugjatët serbë” prej të ashtuquajturës Republika e Krajinës Serbe.

“Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe t’i kuptojmë vuajtjet e boshnjakëve dhe të secilit, por edhe u kërkojmë atyre që të dëgjojnë se çfarë kanë për të thënë serbët”, ka thënë Vuçiq para vizitës.

(Kosova Sot Online)