Zemaj e Manaj tergojnë kush po e shkelë Kushtetutën e Republikes

  • S.A /
  • 04 August 2023 - 12:33
Zemaj e Manaj tergojnë kush po e shkelë Kushtetutën e Republikes

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj,  ka thirrur konferencën përmedia për të shprehur shqetësimin e thellë, siç tha ai, për shkeljet e vazhdueshme dhe të shumta të ligjit dhe Kushtetutës nga ana e  pushtetit, transmeton "Kosova Sot Online".

“Me një fjalë, ky pushtet është pushtet i shkeljeve ligjore dhe i ngeljeve kushtetuese”, tha ai.

Zemaj ka përmendur disa ligje të miratuara në Kuvend të Kosovës që janë dërguar dhe shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se “edhe një herë u dëshmua se ky pushtet di vetëm të shkelë Kushtetutën”.

“Shkelja e parë ndodhi gjatë kohës së pandemisë Covid-19. Edhe shkelja e dytë kishte të bënte me pandeminë Covid-19. Kësaj here, u ataku vendimi i Qeverisë Kurti për vendosjen e karatinës dhe kundërvajtjet ndaj atyre që nuk respektonin rregullat. Shkelja e tretë e Kushtetutës u krye nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ministrja Arbëri Nagavci kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim e filluar nga ish-kryetari Qëndron Kastrati. Shkelja e katërt ndodhi në muajin mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese gjeti se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka shkelur Kushtetutën. Gjykata shpalli anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial i cili u hartua nga Ministrja e Drejtësisë. Shkelja e pestë: Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pabazë vendimin e Kuvendit në vitin 2021 për ta shkarkuar të gjithë Bordin e RTK-së”, tha ai.

Zemaj tha se anëtarët e kësaj Qeverie janë shkelës serikë të ligjit dhe kushtetutës.

“Ky pushtet ka hyrë në histori për të keq për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Ky pushtet ka hyrë në histori për të keq kur ka bërë thirrje që ligjet të mos i nënshtrohen vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese. Pra, pushteti fillimisht ka bërë thirrje publike për shkelje të Kushtetutës dhe pastaj e ka shkelur. Që i bie se e kanë shkelur me vetëdije dhe për qëllime politike e përfituese Kushtetutën e vendit. Ndryshe, i bie që ka bërë thirrje publike që anarkia të dominojë. Ka bërë thirrje publike që frikësimi të jetë lënda e parë qeverisëse. Ka bërë thirrje që të gjithë të jenë të frikësuar se pushteti është mbi ligjin dhe Kushtetutën. Ka bërë thirrje që ky pushtet me çdo çmim duhet të respektohet; edhe kur aferat korruptive s’kanë të ndalur, edhe kur pasurohen paligjshëm, sepse këta të korruptuar potencial nuk i nënshtrohen ligjit, ngase do ta kenë mbrojtjen e Albinit”.

Në konferencë foli edhe deputeti tjetër i LDK-së, Shkëmb Manaj, i cili po ashtu akuzoi Qeverinë Kurti për shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës. 

“Sot lajm do të ishte nëse ky pushtet nuk e shkel më ligjin dhe kushtetutën. Këta janë shkelës të ligjit, të kushtetutës e të shtetit për apetite të shfrenuara të pushtetit. Ndërsa, kartoni i kuq po qëndron lart nga kushtetuetshmëria përballë kësaj mendësie shkatërruese – antikushtetuese. Gati gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë karton të kuq nga Gjykata kushtetuese”.

Ai tha se zyrtarët publikë në secilin institucion të shtetit janë në presion te madh nga partia në pushtet.

“Presion që të vendosin në kundërshtim me ligjin për procese populiste të partisë në pushtet.Ne vend se te përjashtohen nga ekipi qeverisës, ata mbrohen e çmohen nga i pari tyre. Nga i pari që sa ishte në opozitë thoshte se kush e shkel ligjin është kriminel e kush e shkel kushtetutën është super kriminel. E sot, kush e shkel ligjin është i shpërblyer nga Albain Kurti, e kush e shkel kushtetutën është i super i shpërblyer, po nga Albin Kurti. Ky është dallimi i tij, prej opozitari në udhëheqës të Qeverisë”.

(Kosova Sot Online )