Qindra emigrantë janë grumbulluar në qendër të Nju Jorkut

  • A.P /
  • 04 August 2023 - 17:17
Qindra emigrantë janë grumbulluar në qendër të Nju Jorkut

Qindra emigrantë janë grumbulluar përballë Hotelit Roosevelt në qendër të Nju Jorkut me shpresë për të gjetur strehim. Hoteli funksionon si qendër regjistrimit për migrantët e sapoardhur, pasi është marrë në shfrytëzim nga strehimoret e qytetit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Evgeny Maslov strehimoret janë plot dhe emigrantët po flenë në trotuare ndërsa presin të ndihmohen.

Pamjet se si emigrantëve u jepet ujë e ushqime në qendër të Manhatanit janë bërë të zakonshme për qytetin e Nju Jorkut.

Që nga fundi i korrikut, mijëra emigrantë janë dërguar me autobus nga Teksasi dhe shtete të tjera në Nju Jork. Me strehimoret plot, emigrantët po flenë jashtë Hotelit Roosevelt, që tani shfrytëzohet si qendër përpunimi për strehimoret e qytetit.

“Ka disa orë që kam ardhur. Më dhanë ujë, fruta dhe ushqime të tjera. Por askush nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje që kisha. Sapo më dhanë një biletë me numrin tim në radhë, nuk e di se sa do të duhet të pres”, thotë Jean Carlos Vázquez, emigrant nga Venezuela.

Emigrantët vijnë kryesisht nga Afrika dhe Amerika Latine. Shumica prej tyre nuk flasin anglisht dhe nuk dinë çfarë të bëjnë. Shumicës prej tyre iu është thënë në kufi se do të strehohen në Nju Jork.

Natalia dhe Maxim Subbotin janë nga Rusia; ata shpresojnë të marrin azil politik në SHBA. Pasi kaluan tre muaj në Meksikë, arritën në Nju Jork.

“Në Hotelin Roosevelt na thanë: ‘Ejani këtu sonte, do të keni një dhomë për të fjetur, nuk do të flini në rrugë’. Megjithatë rradha e njerëzve nuk lëviz fare, kështu që nuk e di se sa gjatë do të jemi këtu”, thotë Maxim Subbotin, emigrant nga Rusia.

Autoritetet e Nju Jorkut thonë se rreth 90,000 emigrantë kanë mbërritur nga kufiri jugor vitin e kaluar.

“Ka pasur rritje të numrit të emigrantëve. Por, është jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh që ende po punohet me mentalitetin e reagimit emergjent në krahasim me zbatimin e planeve më të mira”, thotë Murad Awawdeh, nga Koalicioni i Imigracionit, një grup që u ofron përkrahje imigrantëve në Nju Jork

Aktivistët po bëjnë presion për të përshpejtuar lejet e përkohshme të punës për migrantët, në mënyrë që ata të sigurojnë para për të blerë ushqime dhe siguruar strehim.

“Emigrantët nuk duan të vazhdojnë jetën në strehimore. Ata janë këtu vetëm për të siguruar mundësinë që të dalin nga strehimorja. Sapo të gjejnë një punë ose diçka që mund të ndihmojë familjen e tyre, ne tanimë po shohim se si ata shkojnë në vende të tjera ku mund të ndërtojnë një komunitet”, thotë Power Malu, aktivist në Nju Jork.

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, inspekton rregullisht strehimoret dhe për muaj të tërë i ka bërë thirrje administratës së presidentit Bidenit për ndihmë. Strehimoret e qytetit janë plot dhe qyteti shpenzon miliona dollarë për t’u ofruar mbështetje migrantëve.

“Ne kemi nevojë për ndihmë. Nga ky moment, gjëndja vetëm do të përkeqësohet. Nuk ka më vend. Unë isha në Roosevelt të shtunën dhe të dielën. Ata ishin në rresht përreth gjithë bllokut, duke dëmtuar bizneset atje”, thotë kryetari i Bashkisë së Një Jorkut, Eric Adams.

“Unë mendoj se qeveria federale duhet të marrë përsipër përgjegjësinë në këtë krizë, duke ditur të gjitha të dhënat se ku qëndron problemi dhe se për çfarë kanë nevojë njerëzit. Ne duhet të sigurohemi të bëjmë diçka që një qytet të mos e mbajë gjithë barrën pasi kjo nuk më duket e drejtë”, thotë Anne Williams-Isom, nënkryetare e bashkisë së Nju Jorkut për Shëndetësi.

Në këtë natë, mbi 100 emigrantë e kaluan natën në trotuar përballë Hotelit Roosevelt. Zyra e kryetarit të bashkisë premton të gjejë të paktën një zgjidhje të përkohshme në ditët në vijim, por pa ndihmën e qeverisë federale, thonë ata, do të jetë e vështirë.


(Kosova Sot Online)