Vajza që u plagos në Bon Vivant dhe dy tjerë po trajtohen ende në QKUK

  • A.P /
  • 06 August 2023 - 12:45
Vajza që u plagos në Bon Vivant dhe dy tjerë po trajtohen ende në QKUK

Një përleshje e armatosur nga e cila vdiq një person dhe u lënduar rreth 20 të tjerë, ka ndodhur të premten në lokalin “Bon Vivant”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në Klinikën e Ortopedisë në QKUK kanë qenë pesë pacientë, një vajzë dhe katër djem, prej tyre janë liruar dy.

Drejtori i Ortopedisë, Gani Jashanica tha se vajza është duke u trajtuar ende për shkak se e ka plumbin afër shtyllës kurrizore, mirëpo nuk janë në rrezik për jetë.

“Gjendja e përgjithshme është e mirë, i kemi pasur pesë pacientë, katër meshkuj dhe një vajzë. Dy nga të lënduarit që kanë pasur plagë tejshkuese janë liruar, ndërsa vajza e cila është duke u trajtuar e ka plumbin afër shtyllës kurrizore. Mirëpo nuk janë në rrezik për jetë, janë nën përcjellje të Policisë. Mund të lëvizin, nuk ka rrezik për paralizë ose diçka”, tha ai

Kastriot Ramdani, që vdiq pasi u plagos në lokalin “Bon Vivant”, në Prishtinë, është varrosur dje në orën 18:00.

Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar se është në kërkim edhe të një personi i cili aktualisht ndodhet në arrati.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, ka njoftuar Policia.

(Kosova Sot Online)