Që nga 2019-ta tetë burra u dënuan me burgim të përjetshëm, ende asnjë dënim s’ka marrë epilog përfundimtar

  • 07 August 2023 - 10:33
Që nga 2019-ta tetë burra u dënuan me burgim të përjetshëm, ende asnjë dënim s’ka marrë epilog përfundimtar

Gjykatat e Republikës së Kosovës, brenda viteve 2019-2023, kanë shpallur tetë aktgjykime me burgim të përjetshëm ndaj tetë personave, ku asnjë dënim i shqiptuar i kësaj natyre nuk ka marrë epilog, shkruan

BetimipërDrejtësi,  transmeton "Kosova Sot Online ".

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënimi me burgim të përjetshëm shqiptohet për veprat penale më të rënda të kryera në rrethana rënduese ose për veprat penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda.

Sipas Kodit, burgimi i përjetshëm nuk mund t’i shqiptohet personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale nuk i ka mbushë njëzetenjë vjet dhe personit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka pasur aftësi esenciale të zvogëluara mendore.

Këtë dënim maksimal, gjykatat e Kosovës e kanë shqiptuar ndaj të akuzuarve Shefki Spahiu, Bajram Velija, Pjetër Ndrecaj, Trimor Lalinovci, Naser Pajazitaj, Gani Kriezi, Nuhi Mavroqani dhe Dardan Krivaqa, që të gjithë të akuzuar për vrasje të rëndë,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimet me burgim të përjetshëm në Kosovë të shqiptuar ndaj të akuzuarve të lartcekur, asnjëherë nuk kanë arritur të marrin epilog. Të gjitha aktgjykimet e shpallura me këtë dënim maksimal nuk kanë marrë vendimin e formës së prerë, pasi të njëjtat janë shfuqizuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës.

Supremja ka liruar nga akuza njëri nga rastet kur ky dënim është shqiptuar, kurse në rastet tjera nga Apeli dhe Supremja dënimi është zbutur në 25-30 vite burgim.

Vrasja e punëtorit J.A nga ish-polici Shefki Spahiu në një kazino në Suharekë

Punëtori i kazinosë në Suharekë, J.A, nga ish-polici Shefki Spahiu ishte qëlluar nga një distancë 1 metër në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e të njëjtit.

Për këtë, Gjykata Themelore në Prizren më 24 shtator 2020, Spahiun e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërsa më 2 prill 2021, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes së Spahiut dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Mirëpo, dënimin me burgim të përjetshëm e kishte ndryshuar Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ndaj Spahiut kishte shqiptuar dënimin prej 25 vitesh.

Sipas Supremes, gjykata e shkallës së parë me rastin e vendosjes për llojin dhe lartësinë e dënimit ka marrë për bazë vetëm rrethanat rënduese dhe disa prej tyre gabimisht i ka cilësuar si të tilla. E njëjta kishte  vlerësuar se nuk bëhet fjalë për rrethana veçanërisht të rënda nën të cilat është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Bajram Velija vrau bashkëshorten me 14 plumba në Prizren

Ngjarja e 6 gushtit 2020 kishte tronditur qytetin e Prizrenit, kur Bajram Velija kishte shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, V.A-V. duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas kryerjes së këtij veprimi, i njëjti trupin e të ndjerës e kishte mbuluar me një fustan të saj duke pritur ardhjen e Policisë.

Gjykata Themelore në Prizren, më 1 tetor 2021, ndaj të akuzuarit Velija ka marrë vendim me burgim të përjetshëm.

Ndërsa, Apeli me aprovimin e ankesës së mbrojtjes, dënimin me burgim të përjetshëm e kishte zbutur në 25 vite burgim

Të njëjtin vendim, e ka vërtetuar Gjykata Supreme e Kosovës, në aktgjykimin e së cilës thuhej se Apeli ka arsyetuar mjaftueshëm zbutjen e dënimit.

 Vrasja e gruas dhe vajzës në Gjakovë nga Pjetër Ndrecaj

Pjetër Ndrecaj akuzohej se më 7 gusht 2018, në Gjakovë, kishte qëlluar me armë bashkëshorten, V.N dhe vajzën e tij, K.N., ku të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë në shtëpinë e familjes së viktimës V.N.

Në seancën e 31 tetorit 2018, Ndrecaj kishte pranuar fajësinë, me ç’rast ai kishte deklaruar se vajzën e tij nëntë vjeçare e ka vrarë në mënyrë aksidentale.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, Ndrecajn e kishte dënuar me 24 vite burgim për vrasje të  dyfishtë dhe me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje. Mirëpo, Gjykata e Apelit në mars të vitit 2019, kishte ndryshuar dënimin e Themelores duke i shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm.

Kundër vendimit të Apelit, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Ndrecaj në Gjykatën Supreme e cila me aprovimin e ankesës rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Në rigjykim, më 10 shkurt 2020, Gjykata e Gjakovës, Ndrecajn e kishte dënuar me 24 vite e gjashtë muaj burgim. Për herë të dytë, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar vendimin e Themelores, e cila kishte ashpërsuar dënimin, ku nga 24 vite e gjashtë muaj, Ndrecajn e kishte dënuar me 30 vite burgim.

Trimor Lalinovci e kishte vrarë dhe djegur trupin e shokut të tij në Ferizaj

Trimor Lanilovci më 18 dhjetor 2019 kishte vrarë Sh.B. në fshatin Surqinë të Ferizajt duke e qëlluar në pjesën e pasme të kokës dhe trupin e të ndjerit e kishte hudhur në një përrockë në fshatin Kishnapole të Komunës së Gjilanit. E gjithë kjo kishte ndodhur, pasi që Lanilovci ditën kritike nuk kishte mundur të sigurojë pagesën prej 14 mijë euro për parcelën që kishte blerë nga i ndjeri Bytyqi në shumën prej 157 mijë euro.

Në gjykimin e zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, në shqyrtimin fillestar, Lalinovci kishte pranuar fajësinë për veprën penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Për të njëjtin, gjykata e shkallës së parë, më 26 tetor 2020 kishte shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm.

Këtë dënim, e kishte ndryshuar Gjykata e Apelit, e cila dënimin me burgim të përjetshëm e kishte shëndrruar në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Sipas shkallës së dytë, dënimi më burgim të përjetshëm, është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, si pranimi i fajësisë, mosha e re e të akuzuarit si dhe keqardhja e shprehur nga ana e tij.

Naser Pajazitaj akuzohej se kishte privuar nga jeta 24-vjeçaren, D.P., Supremja e liroi nga akuza

Sipas aktit akuzues, më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, Pajazitaj akuzohej se me armë në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën D.P. nga po i njëjti fshat.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e ka dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e D.P në nëntor të 2015-ës.

Mirëpo, të njëjtin më 6 prill 2023, Gjykata Supreme e Kosovës e ka liruar nga akuza. Sipas arsyetimit të aktgjykimit të Supremes, nuk është provuar fajësia se i dënuari Pajazitaj ka kryer veprën për të cilën akuzohej.

Nuhi Mavroqani kishte vrarë bashkëshorten e tij, S.M me shufër metalike

Nuhi Mavroqani, nga Gjykata Themelore e Gjilanit më 4 dhjetor 2020 ishte dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën për vrasje të rëndë, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar me 25 vite burgim të akuzuarin Mavroqani, ndërsa të njëjtin vendim më 16 shkurt 2022 e ka vërtetuar Gjykata e Apelit.

Gani Kriezi ka vrarë dhe djegur trupin e vëllait të tij në fshatin Bërnjak të Rahovecit

Gani Kriezi kishte privuar nga jeta vëllain e tij, B.K., në shtëpinë e të ndjerit e cila gjendet larg shtëpisë së tij rreth 40 metra. I njëjti kishte shtënë me armë 3-4 herë në drejtim të ndjerit duke e goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Sipas aktit akuzues, Kriezi e kishte marrë kufomën dhe duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendos në oborr të shtëpisë dhe e mbulon me materiale të ndryshme si: dru, plastika, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madhe i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në një vend deri tani të pa identifikuar më qëllim për t’i zhdukur gjurmët krimit.

Për këto veprime, Gjykata Themelore në Gjakovë më 8 shkurt të këtij viti ka shpallur aktgjykim dënues duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

 Dardan Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjes e M.O.

18 vjeçarja M.O. u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa akuzohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Gjykata Themelore në Ferizaj, pas 9 seancave të zhvilluara, të akuzuarin Krivaqa më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

(Kosova Sot Online )