BE po shqyrton mundësinë e liberalizimit të vizave edhe për Turqinë

  • S.A /
  • 07 August 2023 - 12:42
BE po shqyrton mundësinë e liberalizimit të vizave edhe për Turqinë

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian tha të dielën se blloku do të diskutojë çështjen e liberalizimit të vizave për Turqinë që në vjeshtë. Paralajmërimet e zyrtarit erdhën mes një procesi të pritshëm në negociatat e pranimit të Ankarasë me BE-në, transmeton "Kosova Sot Online".

Muajin e kaluar, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi përpara samitit të NATO-s se ata prisnin që BE-ja të rifillonte bisedimet e pranimit pasi Ankaraja “hapi rrugën” për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Një zyrtar i BE-së, i cili dëshironte të mbetej anonim, tha për Daily Sabah se rezultati i debatit mbi këtë çështje ishte i pasigurt, por Turqia mbeti një kandidat, një “vend kyç” që ka objektiva si BE-ja në shumë fusha.

Erdogan tha muajin e kaluar se presin hapa pozitivë nga BE-ja në lidhje me liberalizimin e vizave dhe Bashkimin Doganor, pas samitit të NATO-s në Vilnius, Lituani.

Duke thënë se këshilltari i presidentit, Akif Cagatay Kiliç ishte në Bruksel për bisedime, Erdogan u tha gazetarëve pas kthimit nga Vilnius se shpresonte që rezultati i bisedimeve do të ishte në favor të Turqisë.

Erdogan nënvizoi se Turqia ka përmbushur premtimet e saja në lidhje me bllokun, duke shtuar se ai dëshiron të shohë sa më shpejt rezultate “të prekshme” të negociatave të zhvilluara në bazë të favorshme.

Siç dihet tashmë, Turqia ka historinë më të gjatë me BE-në dhe procesin më të gjatë të negociatave. Vendi nënshkroi një marrëveshje asociimi me paraardhësin e BE-së në vitin 1964, Komunitetin Ekonomik Evropian (EEC), i cili zakonisht shihet si hapi i parë drejt kandidaturës eventuale.

Pasi kishte aplikuar për kandidaturë zyrtare në vitin 1987, Turqisë iu desh të priste deri në vitin 1999 për të marrë statusin e vendit kandidat. Megjithatë, Turqisë iu desh të priste edhe gjashtë vite të tjera, deri në vitin 2005, për fillimin e negociatave, që ishte një proces jashtëzakonisht i gjatë në krahasim me kandidatët e tjerë.

(Kosova Sot Online )