A po diskutohet njohja e Kosovës në Kyiv?

  • A.P /
  • 07 August 2023 - 18:16
A po diskutohet njohja e Kosovës në Kyiv?

A e dini se çështja e njohjes së Kosovës po diskutohet në Kyiv, ka deklaruar kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Merezhko tha se në Parlamentin e Ukrainës ka deputetë që mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe tha se për të, ndoshta duhet të hapet një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë si përgjigje për mbështetjen që Kosova po ia jep vendit të tij.

“Tani në Parlamentin tonë kemi deputetë të cilët janë mbështetës të mëdhenj për njohjen e Kosovës, por ne ende kemi diskutime sepse nuk është çështje e lehtë. Ka pro dhe kundër. Nga njëra anë shohim që shumica vendimtare e Bashkimit Europian e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Aleatët tanë më të ngushtë si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, e njohin Kosovën. Prandaj është një argument i fortë në favor të njohjes”, tha ai.

Merezhko tha se “më parë kishte disa shqetësime se nëse ne e njohim apo jo Kosovën, do t’i jepte argument në duart e propagandës ruse”, por tha se nuk është “edhe aq i sigurt”, tani, pasi theksoi se “shumë gjëra kanë ndryshuar pas pushtimit të plotë, pra pas 24 shkurtit”.

“Ne tani shohim shumë gjëra ndryshe. Çfarë unë shoh si qytetar i Ukrainës është se Kosova është në anën e Ukrainës, pasi Kosova ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe ju po përpiqeni ta mbështesni neve”, tha ai.

Në anën tjetër, këtë mbështetje Ukraina nuk e merr nga Serbia. Në këtë pikë, përfaqësuesi i diplomacisë parlamentare të Ukrainës e përmendi Aleksandar Vulinin, për të cilin tha se është “shumë i rrezikshëm kur ai mban një pozicion në lidhje me çështjet e sigurisë në Serbi”.

“Nga komunikimi që kam pasur me kolegët e mi serbë, unë shoh disa dyshime. Shoh që për fat të keq ndonjëherë Serbia tenton të anojë nga Rusia. Serbia nuk dëshiron që të vendosë sanksione kundër Rusisë, gjë që është shumë shqetësuese për mua. Pra, shikoni, qëndrimi im është i thjeshtë: ju duhet t’i përkrahni shokët tuaj, ju duhet t’i përkrahni ata që ju përkrahin ju, sidomos kur jeni në një pozitë të vështirë, kur luftoni për mbijetesë”, tha ai.

“Por ende nuk kemi vendosur. Do ta vazhdojmë këtë diskutim. siç thashë, ka pro dhe kundër, dhe kohët e fundit unë jam që të bëhen disa hapa në favor të Kosovës, sepse kur Kosova po na mbështet në vendin tonë, ne duhet të përgjigjemi disi. Ndoshta si një zgjidhje mund të jetë së paku një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë. Kështu që, pse jo? Por përsëri po them që unë e përfaqësoj diplomacinë paralmentare dhe nuk e shoh të gjithë pamjen pasi nuk e përfaqësoj të gjithë Ministrinë”, shtoi Merezhko.

Ai tha se ka biseduar disa herë me “kolegët nga Kosova”.

Për letrën dërguar diplomatëve të lartë të Perëndimit, ku thuhej se “Kosova është shtet sovran”, e të cilën e nënshkroi edhe vetë ai, tha se qëllimi ishte i thjeshtë: “të përpiqemi ta ndalojmë përshkallëzimin dhe parandalimin e trazirave”.

“Qëllimi është që të trajtohen të dyja palët në mënyrë të barabartë dhe në mënyrë të drejtë”, tha ai, duke iu referuar sjelljes së bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën dhe Serbinë.

Ai tha se po sheh që “situata në Europë është e rrezikshme”.

Përshkallëzimi i mundshëm në Ballkanin Perëndimor, tha ai “do të mund ta shpërqendronte vëmendjen nga lufta jonë kundër agresionit rus”.

“Rusia tani është e dëshpëruar. Është duke e humbur luftën kundër Ukrainës dhe do të përpiqet me gjithçka që mundet”, tha Merezhko.


(Kosova Sot Online)