“Vetëm kosa të vjen hakesh”, si e kishte kanosur mërgimtari deputetin Hoti, sot i kërkoi falje

  • S.A /
  • 08 August 2023 - 12:21
“Vetëm kosa të vjen hakesh”, si e kishte kanosur mërgimtari deputetin Hoti, sot i kërkoi falje

“Vetëm kosa të vjen hakesh”, si e kishte kanosur mërgimtari deputetin Hoti, sot i kërkoi falje, transmeton "Kosova Sot Online".

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca fillestare në rastin ku një mërgimtar akuzohet se kishte kanosur deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin.

Sipas aktakuzës, më 15 dhjetor të vitit 2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “Facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri Reshat Sadiku, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “Facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën.

Me këtë, i pandehuri Sadiku ngarohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Në këtë seancë është miratuar marrëveshja për pranim fajësie mes Prokurorisë dhe mërgimtarit të akuzuar, Reshat Sadiku.

Pas përfundimit të seancës fillestare, Sadiku i është afruar Hotit dhe i ka kërkuar falje.

“Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.

I njëjti tha se nuk është person që bën të tilla veprime. “Kam kontribu shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha i akuzuari.

Ndërsa, edhe deputeti Hoti i tha se ai është i pari që e ka sjellë në gjykatore. “Ti ke qenë i pari që më ke sjellë këtu, kurrë s’kam qenë këtu”, tha Hoti. I akuzuari sërish i kërkoi falje, duke i thënë se qëllimi i tij nuk ka qenë të bënte dëm diçka.

(Kosova Sot Online )