Pasi konsumuan kërpudha disa anëtarë të një familje vdesin

  • A.P /
  • 08 August 2023 - 16:40
Pasi konsumuan kërpudha disa anëtarë të një familje vdesin

Një ngjarje e rëndë dhe e veshur me mister ka tronditur Australinë, pasi 3 persona të një familjeje humbën jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë, disa ditë pasi konsumuan një drekë familjare. Ngjarja ka ndodhur dy javë më parë në një qytet të vogël të Australisë, ndërsa nën hetim është vënë një 48-vjeçare, e cila përgatiti drekën me kërpudha helmuese, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

BBC raporton se historia e pazakontë filloi kur Gail dhe Don Patterson ndaluan për drekë me nipërit e mbesat e tyre në shtëpinë e nuses së tyre, Erin Patterson në Leongatha, dy orë me makinë në jug-lindje të Melburnit. Me ta ishin Wilkinsons, Heather, motra e Gail dhe burri i saj Ian. Ky i fundit ishte pastori lokal i kishës Baptiste.

Disa orë pas vaktit, të katër të ftuarit u dërguan në spitalin lokal me simptoma të rënda dhe më pas u transferuan në një spital në Melburn për kujdes më të mirë mjekësor.

Pavarësisht kësaj, Heather, 66 vjeç dhe Gail, 70 vjeç, vdiqën të premten dhe Don, 70 vjeç, të shtunën. Ian, 68 vjeç, mbetet në një gjendje kritike në spital, në pritje të një transplanti të mëlçisë.

Policia thotë se ata besojnë se të katër hëngrën kërpudha helmuese, të cilat janë shumë vdekjeprurëse nëse gëlltiten. Por çuditërisht, Erin dhe dy fëmijët e saj janë mirë.

Policia thotë se të dy fëmijët, të cilët që atëherë janë marrë nën kujdesin shtetëror si “masa paraprake”, hëngrën një vakt të ndryshëm. Hetuesit nuk janë të sigurt nëse Erin hëngri të njëjtin ushqim si mysafirët e saj, apo edhe nëse kërpudhat ishin në pjatën që ajo shërbeu.

Ata gjithashtu theksuan se ajo ishte ndarë nga burri i saj, i cili është djali i Patterson, por e përshkruan atë si një ndarje “miqësore”.

Policia nuk e ka përjashtuar veprimin me dashje, por sipas saj vdekjet janë të pashpjegueshme.

Nga ana e saj zonja Patterson pohoi pafajësinë e saj. Duke qarë teksa fliste me gazetarët jashtë shtëpisë së saj, ajo nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve se çfarë vaktesh u shërbeheshin të ftuarve ose nga kishin ardhur kërpudhat.

Ngjarja ka tërhequr vëmendjen kombëtare dhe ka tronditur opinionin publik në Australi.


(Kosova Sot Online)