Stano: BE aktualisht po monitoron nga afër përmbushjen e kërkesave nga Serbia

  • A.P /
  • 08 August 2023 - 18:37
Stano: BE aktualisht po monitoron nga afër përmbushjen e kërkesave nga Serbia

Me kërkesën për të pasë një politikë balancuese ndaj Kosovës dhe Serbisë, një letër e nënshkruar nga 56 deputetë nga Europa dhe SHBA i është dërguar Brukselit, Washingtonit dhe Londrës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Bashkimi Europian  ka konfirmuar se ka pranuar letrën, por thotë se nuk e komentojnë “korrespodencën e Borrellit”.

“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë në publik korrespondencën e marrë nga Përfaqësuesi i Lartë nga bashkëbisedues të ndryshëm. Nëse aktorët përkatës i shkruajnë Përfaqësuesit të Lartë, ai përgjigjet përmes kanaleve përkatëse, ne nuk bëjmë korrespondencë në media. Këtë letër të veçantë nga 56 deputetë nga disa shtete anëtare të BE-së dhe disa vende të tjera, mund të konfirmojmë se Përfaqësuesi i Lartë sapo e ka marrë”, ka thënë  zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano thotë se politika e jashtme e BE-së është unanime, duke shtuar se Unioni numëron mijëra parlamentarë.

“Kujtojmë se BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë. Politika e jashtme dhe qasjet e BE-së ndaj partnerëve janë formuar nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre, në unanimitet. BE-ja është një lehtësues neutral në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

BE-ja thotë se vlerëson angazhimin e palëve në dialog bazuar në meritat e tyre individuale dhe raporton tek shtetet anëtare.

BE-ja shtoi se u ka bërë kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe për të mundësuar vazhdimin e procesit të normalizimit.

Po ashtu, Stano tha se Bashkimi Europian është duke monitoruar Serbinë nëse po i përmbush kërkesat dhe se është e gatshme të marrë masa në rast se ato dështojnë.

“Shtetet anëtare konsultohen për veprimet e BE-së dhe BE-ja bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj, veçanërisht me SHBA-në. BE-ja aktualisht po monitoron nga afër përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes me këto kërkesa”.


(Kosova Sot Online)