Osmani e kërkon ndihmën e SHBA-së për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO

  • A.P /
  • 08 August 2023 - 20:35
Osmani e kërkon ndihmën e SHBA-së për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), gjatë një takimi me senatorin amerikan, Jack Reed, të martën në Prishtinë.

Osmani tha më 8 gusht se SHBA-ja “nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës”, duke e cilësuar popullin kosovar si “më proamerikan në Evropë dhe në botë”.

Ajo e falënderoi senatorin Reed, i cili është kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së, për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, tha Osmani.

(Kosova Sot Online)