Përmbyset anija, 40 migrantë vdesin në Detin Mesdhe

  • S.A /
  • 09 August 2023 - 13:35
Përmbyset anija,  40 migrantë vdesin  në  Detin Mesdhe

Dyzet e një persona besohet se kanë vdekur pasi një anije me migrantë u fundos afër brigjeve të Tunizisë në Detin Mesdhe, raportoi televizioni shtetëror italian, RAI, duke u bazuar në dëshmitë e katër personave që mbijetuan, transmeton "Kosova Sot Online ".

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA dhe televizionit RIA, katër personat fillimisht u shpëtuan nga një anije malteze në Ngushticën e Sicilisë. Të mbijetuarit më pas u transferuan te rojet bregdetare italiane, të cilët i sollën në ishullin sicilian të Lampedusës.

Ky ishull, që është më afër Afrikës sesa tokës italiane, është destiancion i shpeshtë për trafikantët e migrantëve dhe shihet si qendër ku mbahen migrantët. Ishulli është mbipopulluar me ardhjen e migrantëve të rinj gjatë kësaj vere.

Alessandra Filograno, zëdhënëse e Kryqit të Kuq italian, konfirmoi se katër të mbijetuarit kanë arritur në qendrën në Lampedusa mëngjesin e së mërkurës. Ajo tha se bëhet fjalë për dy burra, një grua dhe një minoren të pashoqëruar. Ajo nuk dha më shumë detaje.

ANSA dhe RAI raportuan se sipas dëshmive të katër të mbijetuarve, ata kishin udhëtuar nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea. Këto dy media italiane thanë se në mesin e të viktimave janë edhe tre fëmijë.

Këtë verë janë fundosur një numër i anijeve me migrantë, që janë nisur nga Tunizia drejt Italisë. Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, mbi 93.000 migrantë kanë arritur në Itali deri më tani gjatë këtij viti, që është dyfish më shumë sesa 45.000 persona që kishin arritur në këtë shtet në periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Shumica e migrantëve janë nga Guinea, Bregu i Fildishtë, Egjipti dhe Tunizia.

Kryeministrja e Italisë, Girgia Meloni, në Qeverinë e djathtë të së cilës përfshihet edhe partia anti-migrante, Liga, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të bashkohet në përpjekjet që të nxitet Tunizia për të goditur operacionet e trafikimit me migrantë, por anijet me migrantë po vazhdojnë të arrijnë në brigjet italiane. 

(Kosova Sot Online )