Polici i Kosovës suspendohet nga puna pas aksidentit mes veturës së policisë dhe vajzës me trotinet

  • A.P /
  • 09 August 2023 - 16:01
Polici i Kosovës suspendohet nga puna pas aksidentit mes veturës së policisë dhe vajzës me trotinet

Raportohet se të martën në Gjilan ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë një veturë e policisë dhe një e mitur me trotinet. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

IPK njofton se për zyrtarin policor, ngasës i automjetit, është rekomanduar suspendimi nga puna.

“Ju informojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK), me datë 08.08.2023, ka pranuar njoftimin nga Policia e Kosovës-Trafiku Regjional, DRP – Gjilan, se një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës në kryerje të detyrës, ishte përfshirë në aksident trafiku me këmbësor. Hetuesit e IPK-së janë paraqitur në vendngjarje dhe kanë ndërmarr veprimet hetimore dhe kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit të cilit i janë prezantuar të gjeturat e hetimit deri në atë faze”, tha IPK.

Gjithashtu me udhëzim të prokurorit të shtetit rasti është hapur si “Rrezikimi i trafikut publik”.

“Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit është hapur rasti penal “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370 i KPRK-së. Si pjesë e procedurës administrative hetimore për të  dyshuarin, zyrtarin policor (ngasësin e automjetit), është rekomanduar masa administrative suspendim nga puna”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

(Kosova Sot Online)