Rama: Pas mesnatës çdo e dyta ose e treta veturë në Prishtinë është e armatosur

  • A.P /
  • 09 August 2023 - 16:27
Rama: Pas mesnatës çdo e dyta ose e treta veturë në Prishtinë është e armatosur

Alarmin rreth armëve pa leje, e ka ngritur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, çdo e dyta ose e treta veturë që kalon pas mesnatës nëpër rrugët e Prishtinës, është e armatosur.

Këto informata, kreu i Prishtinës ka thënë se i ka marrë nga Policia e Kosovës.

“Kam informata, të cilat i mora prej drejtorit të policisë, ku pas orës 12 të natës, çdo e dyta ose e treta veturë që sillet në Prishtinë është e armatosur, domethënë ka ose armë zjarri ose thikë. Është alarmante, pse këta njerëz mbajnë armë, për çka, çka dojnë me bo ata, me çka po merren?”, ka thënë Rama.

Në një deklarim për media në një takim që pati të mërkurën me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, Rama tregoi për hapat që ai ndërmori pas vrasjes në lokalin ‘Bon Vivant’ në qendër të qytetit të premten.

“Kemi mbërri që të takohemi menjëherë të shtunën me drejtorin e Policisë, kemi një bashkëpunim të mirëfilltë, kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi një bashkëpunim shumë të mirë, kam marrë informata nga ta se çka po ndodhë në aspektin e sigurisë”, është shprehur Rama.

(Kosova Sot Online)