Muja iu 'kapet' Stanos pasi tha: Kosova s’kishte sjellje evropiane

  • A.P /
  • 10 August 2023 - 19:10
Muja iu 'kapet' Stanos pasi tha: Kosova s’kishte sjellje evropiane

Bashkimit Evropian që përmes zëdhënësit të saj, Petër Stano, ka deklaruar se ”Kosova nuk ka pasur sjellje evropiane”, duke iu referuar situatës së muajve të kaluar në Veri, i ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

BE-ja ka vendosur edhe masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të asaj situate.

”Respektimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit, nuk qenka sjellje evropiane e si e tillë qenka ndëshkuar nga BE. Më lejoni të listoj një varg sjelljesh “evropiane” të Serbisë, të cilat kanë kaluar pa ndëshkim nga ana e BE-së”, ka thënë Muja përmes një postimi në Facebook.

Më pas ai ka bërë një kronologji të situatës duke listuar siç thotë ai “sjelljet e BE-së ndaj Serbisë që mbaruan pa ndëshkim”, duke i reaguar në këtë mënyrë BE-së. /Gazeta Express

Pikat e përmendura nga Muja drejtuar BE-së:

– Dhjetëra baza ushtarake në kufi me Kosovën

– Rritja e gjendjes së gatishmërisë së ushtrisë disa herë brenda viteve të fundit

– Fluturimi i Mig-ave në kufirin me Kosovën

– Mosbashkëpunimi në zgjidhjen e çështjes së targave, ku pas 6 muajsh negociata Serbia nuk zgjedh asnjë nga opsionet e BE-së

– Mungesa e bashkëpunimit e zbatimit nga Serbia e udhërrëfyesit të marrëveshjes së energjisë

– Kërcënimet dhe kriza e shkaktuar në fund korrik 2022

– Kërcënimi e shantazhimi, djegia e veturave të serbëve të Kosovës për të mos lejuar regjistrimin e targave legale

– Prodhimi i targave ilegale, edhe pas dakordimit të nëntorit 2022

– Urdhëri për braktisje të institucioneve në nëntor 2022 të serbëve të Kosovës, që solli në dorëheqjen e kryetarëve

– Ngritja e barrikadave dhe organizimi i grupeve kriminale në komunat në veri

– Nxitja përsëri e mospjesëmarrjes në zgjedhje

– Dhuna dhe sulmet ndaj Kfor-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve

– Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë

– Refuzimi i nënshkrimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit

– Shkelja e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit

Një sjellje tjetër tejet “evropiane” e Serbisë, është edhe mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dënimit të agresionit të këtyre të fundit ndaj Ukrainës.

Ky reagim i Stanos, qartazi është dëshmi, fakt e konfirmim i brengës së 56 nënshkruesve të letrës së dërguar.

(Kosova Sot Online)