Historiani serb: Nëse Kosova është biletë e Serbisë për në Bashkimin Evropian, atëherë i themi jo BE -së

  • E.K /
  • 11 August 2023 - 13:19
Historiani serb: Nëse Kosova është biletë e Serbisë për në Bashkimin Evropian, atëherë i themi jo BE -së

Pranimi i propozimit franko-gjerman për marrëveshje me Kosovën është një realitet që në fund do të jetë një dorëzim, duke pasur parasysh kontekstin e negociatave, tha historiani Bojan Dimitrijević në një intervistë në FoNet.

Dimitrijević beson se mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin e Kosovës është një dialog afatgjatë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, “më i mirë se çdo luftë”, por nuk duhet të përjashtojmë një konferencë ndërkombëtare, e cila do të duhej të përfshinte një zgjidhje më të gjerë, për Republika Srpska, për shembull, “e cila nuk është e mundur në këtë moment”.

Ai tha se është për mbajtjen e konfliktit të ngrirë, por në rrethanat që Serbia e cilëson Kosovën si territor të pushtuar.

“Nëse Kosova është biletë për në Bashkimin Evropian, atëherë jo BE”, tha Dimitrijeviq.

Siç prezantoi ai, anëtarësimi i Kosovës në OKB është diçka në të cilën Serbia nuk mund të ndikojë, por do të ishte një humbje e madhe për të, nëse do të ndodhte.

Dimitrijeviq vlerësoi se formimi i Unionit të Komunave Serbe në Kosovë do të ishte i mirë në këtë situatë, në mënyrë që serbët nga veriu i Kosovës të kishin të drejta dhe lidhje me Serbinë, por ai beson se në të njëjtën kohë, do të ishte një “njohje se Kosova është shtet i ndarë nga Serbia”.

I pyetur për idenë e mbajtjes së një referendumi në Serbi për Kosovën, ai ka theksuar se Kosova nuk është çështje për referendum.

“Çështja e Kosovës e lidh thelbin e qenies kombëtare serbe, prandaj nuk duhet të kontrollohet me referendum”, sqaroi Dimitrijeviq.

Ai tha gjithashtu se është e mundur një luftë apo një konflikt me intensitet më të madh apo më të vogël me Kosovën, “duke pasur parasysh zhvillimin e situatës në rajon dhe në nivel global”.

(Kosova Sot Online)