Ja sa afganë kanë mbetur në kampin Bondsteel

  • A.P /
  • 11 August 2023 - 18:37
Ja sa afganë kanë mbetur në kampin Bondsteel

Për rreth 30 qytetarë afganë që ikën nga pushtimi taliban, rruga drejt zhvendosjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bllokuar në kampin Liya, brenda bazës ushtarake amerikane, Bondsteel, në Ferizaj. Disa prej tyre nuk kanë kaluar verifikimet e nevojshme të sigurisë, e të tjerët janë ende në proces. Nga Departamenti i Shtetit thonë se janë duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejt për ta, ndërkohë, Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme të vazhdojë qëndrimin e tyre në Kosovë edhe për një vit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në gusht të vitit 2021, Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar deri 2.000 afganë që kishin punuar me forcat e huaja në 20 vjetët e fundit, pasi talibanët morën Kabulin në mes të gushtit. Afganët u strehuan në dy lokacione shumë pranë njëra-tjetrës në kampin e kompanisë Bechtel-Enka, si dhe kampin Liya brenda bazës ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel në Ferizaj.

Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht të vitit 2021.

Sipas Qeverisë së Kosovës, rreth 1.900 afganë janë strehuar në Kosovë që nga ajo kohë. Shumica prej tyre janë zhvendosur në SHBA, disave u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata nuk e kanë kaluar procesin e verifikimit. Një numër prej të tyre janë zhvendosur në ndonjë shtet të tretë.

Në Bondsteel, sipas Qeverisë, ende gjenden rreth 30 afganë. Ata nuk lejohen të dalin nga kampi.

Qëndrimi i tyre në Kosovë u tha se do të ishte shumë i shkurtër, më së shumti një vit, derisa, siç kishte deklaruar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, “t’iu rregulloheshin dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara”.

Por, pas kalimit të vitit të parë, Kosova vendosi ta zgjasë marrëveshjen edhe për një vit tjetër, deri në fund të muajit gusht të këtij viti.

Ky afat mund të zgjatet edhe për një vit tjetër, thonë në Qeveri.

“Pa dyshim se Republika e Kosovës gjithmonë është e gatshme që t’u shërbejë si partnere Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo mundësi që i jepet, duke përfshirë këtu edhe mundësinë e zgjatjes së afatit të marrëveshjes për strehimin e qytetarëve afganë, nëse një gjë e tillë paraqitet si nevojë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

(Kosova Sot Online)