Ahmeti: Bashkimi rreth 'frontit europian' është nevojë dhe përgjegjësi historike

  • A.P /
  • 13 August 2023 - 17:14
Ahmeti: Bashkimi rreth 'frontit europian' është nevojë dhe përgjegjësi historike

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për bashkim, me rastin e 22-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit mes shqiptarëve dhe maqedonasve për të krijuar raporte të reja shoqëroro-politike për ta ndërtuar shqetitn që sot quhet Maqedonia e Veriut, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ahmeti përmes një video-mesazhi tha se bashkimi “rreth frontit europian” është nevojë dhe përgjegjësi historike.

“Në këtë përvjetor të Marrëveshjes së Ohrit bëj thirrje për bashkim, unifikim rreth frontit europian si nevojë dhe përgjegjësi historike e kohës dhe hap i domosdoshëm për ta siguruar të ardhmen. Vetëm të bashkuar jemi më të fortë”, tha Ahmeti.

Ai tha se pas luftës dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001, tash po tejkalohen “barrierat e fundit të barazisë së shumëkërkuar”. Ahmeti përmendi se gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar tani janë zyrtare dhe se shqiptarët janë pjesë e të gjitha dikastereve qeveritare. Për ta rrumbullakësuar procesin e barazisë dhe integrimit, ai tha se “duhet ta ndërmarrim edhe hapin e fundit të ndryshimeve kushtetuese”.

“Po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë dhe Kosovën, me rajonin, të cilat edhe po i unifikojnë kufijtë”, tha ndër tjerash Ahmeti.

Maqedonia e Veriut është para një procesi ku do t’i duhet të lëvizë në përpjekje për t’i shpëtuar bllokimit të procesit të integrimit të vendit në BE. Parakusht në këtë rrugë është çështja e ndryshimit të Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Duke qenë kështu, Ahmeti bëri thirrje për bashkimin e shqiptarëve pasi tha se “vendimet e mëdha kërkojnë guxim, e jo kalkulim; kërkojnë vizion, e jo shkurtpamësi; kërkojnë prirje, e jo struktim”.

“Nuk guxojmë ta humbasim shansin e ta shuajmë shpresën e qytetarëve për një vend e rend europian”, tha ai.

(Kosova Sot Online)