Dyshimet për keqtrajtimin e të miturës nga logopedi në Podujevë, flasin nga Prokuroria

  • E.K /
  • 14 August 2023 - 15:07
Dyshimet për keqtrajtimin e të miturës nga logopedi në Podujevë, flasin nga Prokuroria

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka thënë se do të ndërmerren veprime procedural-ligjore ndaj logopedit që dyshohet se e keqtrajtoi një të mitur në Podujevë, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit i dyshuari gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime procedurale-ligjore. Ndaj kësaj çështjeje penale janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Policinë”, ka thënë Ulaj.

Për këtë rast, Policia ka raportuar përmes raportit 24 orësh, të dielën. Aty thuhet se rastin e ka denoncuar nëna e së miturës.

“LËNDIM I LEHTË TRUPOR/Podujevë 12.08.2023-11:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ndaj vajzës së saj të mitur ishte ushtruar dhunë fizike (kapur për flokësh) nga logopedi, i dyshuari mashkull kosovar ku ishte duke u trajtuar viktima. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

(Kosova Sot Online)