Kryeziu tregon numrin e këshilltarëve të angazhuar në kabinetin e Kurtit

  • E.K /
  • 15 August 2023 - 11:40
Kryeziu tregon numrin e këshilltarëve të angazhuar në kabinetin e Kurtit

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë së kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ai ka bërë me dije se numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25.

Kryeziu ka shkruar se Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj.

Postimi i plotë:

Ky raportim i mbrëmshëm nuk është i saktë dhe atë në mënyrë të dyfishtë.

Së pari, kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit.

Së dyti, kryeministri Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj. Numri total i këshilltarëve të emëruar, përfshirë ata të jashtëm, të ish-kryeministrit Haradinaj sipas të dhënave të muajit janar 2020 ishte 33.

Për informim, kabineti i Kryeministrit përbëhet nga këshilltarët politikë, nëpunësit e kabinetit dhe këshilltarët e jashtëm. Ata së bashku përbëjnë stafin e Kryeministrit. Numri 38 i raportuar mbrëmë përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët—pra që nuk janë këshilltarë—, dhe të 3 të tjerë të emëruar të kryeministrit, ku përfshihen Kryesuesi i Komisionit Qeveritare për Personat e Zhdukur/Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e Personave të Zhdukur, koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri, dhe koordinatorja për funksionalizimin e Fondit Sovran, të cilët kanë mandate të veçanta.

(Kosova Sot Online)