Si ra në pranga aktivisti i Vetëvevendosjes që tregtonte mijëra euro ‘ekstasi” në relacionin Kosovë -Shqipëri?

  • A.P /
  • 15 August 2023 - 18:35
Si ra në pranga aktivisti i Vetëvevendosjes që tregtonte mijëra euro ‘ekstasi” në relacionin Kosovë -Shqipëri?

Faqet e mediave në Shqipëri janë mbushur sot me fotografinë e asamblistit të Lëvizjes Vetëvevendosje në Prishtinës, Besnik Mujeci, pasi autoritetet e Shqipërisë e kanë arrestuar atë si pjesë e një grupi prej pesë personave që dyshohen për trafik narkotikësh nga Prishtina në Tiranë. Përveç Mujecit, është arrestuar edhe kosovari tjetër Mithat Ramadani, dhe tre shtetas të Shqipërisë.

Ky grup që po ndiqej nga shteti shqiqptar që nga janari i këtij viti, u kap sot në mes të Tiranës me një sasi narkotikësh që kapin vlerën rreth 400 mijë euro.

Për transportin e narkotikëve nga Prishtina në Tiranë është shfrytëzuar linja e udhëtimit të autobusëve Prishtinë-Tiranë, në kohën kur është rritur jashtëzakonisht shumë edhe lëvizja në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri për shkak të pushimeve të verës.

Në Shqipëri ndërkohë ishin shfrytëzuar makinat me qira për shpërndarjen e narkotikëve. Vetëm gjatë këtij aksioni janë konfiskuar 11 mijë e 300 tableta ekstazi MDMA.

“Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, thuhej në komunikataën për media të Policisë së Shqipërisë.

Mujeci, në qershor të këtij viti është shpërblyer nga bashkëpartiakët e tij edhe me një pozitë në një ndërmarrje publike. Grupi i asamblistëve të Vetëvendosjes bashkë me dy partitë tjera opozitare në Komunën e Prishtinës, pasi kishin arritur që të krijonin shumicën në Kuvendin Komunal të Prishtinës në muajin qershor të këtij viti, e kishin emëruar Mujecin edhe aksionar në kompaninë publike “Stacioni i Autobusëve”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pikërisht Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kishte insistuar në kapjen e Stacionit të Autobusëve, duke e ndërlidhur kështu edhe përfshirjen e Mujecit në transportin e narkotikëve përmes linjës së autobusëve Prishtinë-Tiranë.

Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë grupet që qëndrojnë parpa përpjekjes dhe insistimit për kapjen e ndërmarrjeve publike.

“Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë.Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media duke kërkuar dorëheqjen e Mujecit dhe nisjen e hetimeve për atë që e kanë emëruar si afera “Droga”. Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka thënë se është jashtëzakonisht shqetësuese që Mujeci është caktuar aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”,  meqë sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri pikërisht me autobusë.

Retkoceri ka ngritur dyshimet se Mujeci mund të mos jetë i vetëm në gjithë këtë.

Ndërkohë nga Lëvizja Vetëvendosje fillimisht ishte lajmëruar shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, duke thënë se ka provuar që ta thërras Mujecin por që i njejti s’është lajmëruar.

Pastaj zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka thënë se Komisioni Displinor i VV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin e Besnik Mujecit, ndërkohë që ka nisur procedura disiplinore ndaj tij.

“Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin”, ka thënë Manxhuka.

Pas kësaj mbledhje, VV ka vendosur ta përjashtojë Mujecin nga të gjitha strukturat e partisë.

(Kosova Sot Online)