A është e mundur që çmimi i spinaqit në Kosovë të shkoj deri në 8 euro për një kilogram?

  • A.P /
  • 16 August 2023 - 15:55
A është e mundur që çmimi i spinaqit në Kosovë të shkoj deri në 8 euro për një kilogram?

Për shkak të çmimeve të larta të produkteve bujqësore, sidomos të perimeve dhe të pemëve, sipas fjalëve të tregtarëve, por edhe të prodhuesve, këto ditë, por edhe në javët dhe muajt e fundit ka shumë pak shitblerje të këtyre produkteve dhe qarkullim të parasë në tregjet tona të gjelbra, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këto ditë, por edhe siç rrëfejnë tregtarët në Tregun e gjelbër kryesor të Prishtinës, edhe tani e një muaj më përpara, është bërë thuaja i pa “kapshëm” për kosovarin e rëndomtë, atë me të ardhura mesatare dhe nën to, spinaqi, i kërkuar dhe i konsumuar me vite të tëra me shumicë nga qytetarët e këtij vendi. 

Është bërë ky perim i “pa qasshëm”, i paarritshëm për blerësit e shumtë, për shkak të çmimit enorm të tij, që tash e një muaj ka shkuar herë herë edhe në 7-8 e më shumë euro për një kilogram. Sot, dhe dy tre ditë më parë, sipas një tregtari, ndër të rrallët që tregtonte spinaq në shtandet brenda tregut prishtinas, ka rënë çmimi i këtij perimi dhe ai po shitet edhe nga 4, madje edhe 3,5 euro kilogrami. Por, edhe me këtë çmim, sipas tregtarit, nuk ka blerës.

Konsumatorët, të mësuar tash e një muaj me çmimin rekord të lartë të spinaqit (nuk ka ndodhur më parë asnjëherë që një kilogram spinaq të kushtojë 8 e më shumë euro), largohen, bile as që pyesin më për çmimin e tij. “Vetëm ndonjë mërgimtar ‘i përmalluar” vendos të blejë spinaq këtyre ditëve. Edhe në shitje në shtandet e tregut nuk ka spinaq. Sot, më duket, se gjithsej 2-3 tregtar kanë ekspozuar sasi fare të vogla të spinaqit për shitje”, thotë tregtari i vjetër.


(Kosova Sot Online)