Ndaj katër personave për fajde dhe shpëlarje parash ngrihet aktakuzë

  • A.P /
  • 16 August 2023 - 16:06
Ndaj katër personave për fajde dhe shpëlarje parash ngrihet aktakuzë

Ndaj katër personave: B.M, B.M, E.M dhe S.M, prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë për fajde dhe shpëlarje parash, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur për shkak se B.M, B.M. dhe  E.M. kanë kryer veprat penale “Fajdeja”,  nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri S.M. ka kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 331 par 1 të KPRK-së.

Ndërkaq, të pandehurit B.M, B.M dhe E.M. akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale “Shpëlarja e parave”, nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, neni 56 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2 dhe 1.5 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit  Ligji Nr.05/L-096.

“Gjithashtu, Prokuroria Speciale njofton se rasti ka të bëjë me veprat penale të kryera gjatë nga viti 2017 deri në vitin 2021, në qytetin e Prizrenit, ku të pandehurit në bashkëkryerje në mes tyre janë marrë me veprimtarinë e kundërligjshme të Fajdeve, ku pas një pune intensive hetimore të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, është arritur deri tek zbulimi i kryerësve të veprave penale të lartcekura, arrestimi i të pandehurve, si dhe, konfiskimi dhe ngrirja pronave të paluajtshme dhe të luajtshme”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)