Detaje nga dosja e prokurorisë se çfarë ndodhi në Klinë

  • A.P /
  • 16 August 2023 - 18:57
Detaje nga dosja e prokurorisë se çfarë ndodhi në Klinë

Nndaj të dyshuarit Tush Frroku, i cili dyshohet për vrasjen e A.P., më 7 gusht 2023, në një lokal në Klinë, Prokuroria Themelore në Pejë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Tush Frrokut, këtë e konfirmoi avokati Gani Kelmendi.

Frroku dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” ,”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Shtrëngimi” dhe “Marrja në posedim e pasurisë së luajtshme”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, thuhet se më 7 gusht 2023, rreth orës 16:49, në Klinë, sheshi “Nëna Terezë”, pas një mosmarrëveshje të mëhershme mes të pandehurit me tani të ndjerin A.P., derisa ky i fundit ishte në lokalin “Coyota”, me tezakun e tij në një tavolinë, pasi e përcjell i pandehuri Tush Froku, i njëjti merr pistoletë me vete, futet brenda në lokal dhe me pistoletë shtie menjëherë në drejtim të tani të ndjerit A.P., disa herë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Ndërsa, thuhet se i pandehuri kthehet tek dera e hyrjes, ndalon dhe prapë gjuan në drejtim të tani të ndjerit, ashtu që me këtë përpos që privon nga jeta A.P., rrezikon jetën e tezakut të tij që ishte në tavolinë me të dhe personave tjerë që ishin aty dhe më pas arratiset nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar.1.5 të KPRK-së.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, nga koha e pacaktuar e deri më  7 gusht 2023, rreth orës 16:49, në Klinë, sheshi “Nëna Terezë”, i dyshuari Frroku mban në pronësi armë në shkelje me ligjin për armët, të cilën pasi e siguron, e posedon pa leje deri më 7 gusht 2023, sikurse në dispozitivin e parë.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së.

(Kosova Sot Online)