Gjykata Speciale urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin

  • A.P /
  • 17 August 2023 - 17:11
Gjykata Speciale urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin

Angela Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka njoftuar se më 16 gusht, trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Griep tha se trupi gjykues ka konstatuar se ekziston rrezik i mjaftueshëm që Thaçi dhe Veselit të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë krime të tjera.

Sipas saj, trupi gjykues ka konstatuar se komunikimet mund të kufizohen në një mënyrë që zvogëlon mjaftueshëm këto rreziqe vetëm me anën e zbatimit të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

Ndërsa, njoftoi se seancat në këtë çështje gjyqësore do të vazhdojnë më 28 gusht.

Griep ka dhënë informacione edhe për çështjen gjyqësore Pjetër Shala, ku tha se kryetarja e DhSK-së ka caktuar Panelin e Dhomës së Specializuara të Gjykatës Kushtetuese më 14 korrik që të vendosë në lidhje me kërkesën referuese nga Shala, e dorëzuar më 11 korrik, ku pretendon shkelje të të drejtave të tij themelore, transmeton Betimi për Drejtësi.

E njëjta, bëri të ditur se ky panel përbëhet prej gjykatësve Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Romina Inkuti.

Ndërkaq, tha se kërkesa referuese ka të bëjë me konstatimin e trupit gjykues se deklaratat që Shala i dha policisë belge në 2016 nuk janë të papranueshme.

Griep gjithashtu njoftoi se më 20 korrik, trupi gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit ndaj Pjetër Shalës, duke shtuar se është konstatuar se ekzistojnë arsye të artikulueshme për të besuar se vazhdon të ekzistojë rreziku i pengimit të ecurisë së procesit dhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera.

Kurse, për këtë çështje gjyqësore, Griep tha se seancat rifillojnë të hënën, më 21 gusht, me paraqitjen e provave nga mbrojtësi i viktimave.

Krejt në fund, e njëjta ka njoftuar se më 1 gusht Paneli i Gjykatës Supreme hodhi poshtë kërkesën e Hysni Gucati për vizitë nën ruajtje në Kosovë.

Ajo tha se Paneli i Gjykatës Supreme shqyrtoi një sërë faktesh gjatë marrjes së vendimit, dhe filloi duke theksuar se nuk ekziston e drejta për vizitë nën ruajtje për arsye humanitare bindëse, veçanërisht në raste kur personi është shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë.

Sipas saj, Paneli ka vënë në dukje se që nga maji 2022, Gucati e kishte vizituar nënën e tij pesë herë. Vizita e pestë në mars 2023 u miratua pasi ishte shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë nga Paneli i Apelit dhe ai po vuante dënimin, që përfundimisht do të thotë humbjen e lirisë.

Griep tha se në atë kohë vizita u miratua për shkak të rrethanave urgjente, të jashtëzakonshme dhe bindëse lidhur me shëndetin e nënës së tij.


(Kosova Sot Online)