Analisti serb: Një Serbi e Madhe do të ishte rrezik më i madh se një Shqipëri e Madhe

  • E.K /
  • 18 August 2023 - 12:29
Analisti serb: Një Serbi e Madhe do të ishte rrezik më i madh se një Shqipëri e Madhe

Analisti politik serb, Boshko Jakshiq ka deklaruar se krijimi i një Serbie të Madhe do të shkaktonte trazira tektonike në Ballkan, duke përfshirë konflikte të armatosura.

Jakshiq ka deklaruar për agjencinë serbe të lameve “Beta” se formimi i Shqipërisë së Madhe nuk do të ndodhë sepse kjo do të sjellë edhe krijimin e një Serbie të Madhe.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë realizimin e konceptit të Shqipërisë së Madhe dhe veçanërisht jo të Serbisë së Madhe. Nëse vjen deri te rikonfigurimi i rajonit, ekzistenca e Shqipërisë së Madhe do të nënkuptonte edhe ekzistencën e Serbisë së Madhe”, ka pretenduar Jakshiq.

Sipas fjalëve të tij, për Perëndimin, një Serbi e Madhe do të ishte rrezik më i madh se një Shqipëri e Madhe

“Nëse shqiptarët do të shpallnin një Shqipëri të Madhe, kjo do të shkaktonte trazira tektonike në Ballkan, duke përfshirë konfliktet e armatosura. Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia do të duhej të reagonin ndaj realizimit të një plani të tillë me perspektivën realiste të konflikteve të armatosura”, ka pretenduar Jakshiq.

Duke folur për, siç i quan ai, “aktivitetet dhe thirrjet” e kryeministrit Albin Kurti për krijimin e Shqipërisë së Madhe, Jakshiq ka thënë se “Kurti e dëshiron një Shqipëri të Madhe, por se këto dëshira nuk janë të realizueshme”.

“Kjo është njësoj si kur Aleksandar Vullin ka kërkuar krijimin e një “Bote Serbe””, ka përfunduar Jakshiq.

(Kosova Sot Online)