Nuk paguan faturën, gjesti i turistëve italianë në Berat merr vëmendjen e mediave ndërkombëtare

  • E.K /
  • 19 August 2023 - 15:15
Nuk paguan faturën, gjesti i turistëve italianë në Berat merr vëmendjen e mediave ndërkombëtare

Për turistët italianë që u larguan nga një restorant në Berat pa paguar faturën, kanë shkruar edhe mediet ndërkombëtare.

Fillimisht lajmi për këtë gjest u dha në mediat shqiptare, por porosia e kryeministres italiane Giorgia Meloni ndaj ambasadorit italian në Shqipëri për të paguar faturës prej 80 eurosh ndaj restorantit, ka bërë që shumë media ndërkombëtare të shkruajnë për këtë ngjarje.

“Me rekomandimin e kryeministres, Giorgia Meloni, ne proceduam me shlyerjen e faturës së mbetur të papaguar nga një grup turistësh italianë në një restorant në qytetin e Beratit”, thuhet në shënimin e publikuar nga Ambasada në Tiranë. Italianët – vijon njoftimi për shtyp – respektojnë rregullat dhe shlyejnë borxhet e tyre dhe shpresojmë që episode të këtij lloji të mos përsëriten më.

Ambasada sqaron gjithashtu se “pagesa është likuiduar me fondet personale të kryeministres Meloni nëpërmjet Ambasadës, e cila është kufizuar në kryerjen fizike të pagesës”.

Nga mediat italiane si La Stampa, Ansa, te gjigandi britanik BBC, agjensia amerikane e lajmeve Reuters e deri te media indiane Times Of India, lajmi për gjestin e italianëve ka marrë vëmendje.

“Në një akt unik diplomatik, qeveria italiane ka shlyer faturën e restorantit të katër turistëve italianë në Shqipëri që janë larguar pa paguar. Darka dhe shëtitja në qytetin e Beratit bënë bujë në të dy vendet. Muhabeti bëri që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ta ngrinte atë me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, teksa ajo ishte për vizitë në vend. Ajo u përgjigj duke i thënë ambasadorit të saj “shkoni dhe paguani faturën për këta idiotë”, shkruan BBC.

“Francesco Lollobrigida, ministri italian i bujqësisë dhe kunati i Melonit, ishte në udhëtim në Shqipëri dhe tha se ishte një çështje krenarie kombëtare. “Ajo ofroi të paguante faturën. Ambasadori ishte duke u kthyer për në Tiranë dhe ishte në dispozicion për ta bërë këtë. Disa individë të pandershëm nuk mund të vënë në siklet një komb me njerëz të mirë,” shtoi Lollobrigida,” shkruan Times Of India.

“Kryeministrja Giorgia Meloni, e cila iu bashkua numrit në rritje të italianëve që vizitonin Shqipërinë për pushime këtë verë, siguroi që një pronar restoranti vendas të mos mbetej pa u paguar pasi një grup bashkatdhetarësh të saj u larguan pa paguar faturën. Meloni dhe familja e saj kaluan disa ditë në Shqipëri këtë javë si mysafire e kryeministrit Edi Rama, vendi i të cilit po shijon një bum turistik këtë verë me vizitorët të tërhequr nga plazhet me rërë të bardhë dhe çmimet e ulëta në krahasim me pjesën tjetër të Evropës,” shkruan Reuters.

(Kosova Sot Online)