Kurti i tregon Kryeministrit grek për gjendjen në Veri: Po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme

  • E.K /
  • 22 August 2023 - 14:10
Kurti i tregon Kryeministrit grek për gjendjen në Veri: Po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme

Zyra për media e kryeministrit të vendit, Albin Kurti ka dhënë detaje për takimin mes Kurtit dhe kryeministrit të Greqisë, Mitsotakis, përcjell “Kosova Sot Online”.

Në komunikatë thuhet se kryeministri kanë thënë se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira “të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve”.

Kurti dhe Mitsotakis kanë biseduar edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal.

“Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime.”

Me Mitsotakis, Kurti ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës. Ai i tha kryeminstrit grek se që 2 muaj nuk ka incidente në Veri.

“Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm.”

Në komunikatë thuhet se Kurti e ka ftuar kryeministrin grek për vizitë në Kosovë, por edhe për më shumë investime, derisa ka ofruar ndihmën e FSK’së për përballimin me zjarret.

“Kryeministri Kurti e ftoi Kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021. Gjersa shprehu keqardhjen për zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë, Kryeministri ofroi ndihmën e Republikës së Kosovës në përballimin me zjarret përmes njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.”

(Kosova Sot Online)