Haradinaj-Stublla thotë se Kosova dështoi në mënyrë flagrante në Athinë

  • E.K /
  • 23 August 2023 - 13:25
Haradinaj-Stublla  thotë se Kosova dështoi në mënyrë flagrante në Athinë

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se Kosova ka dështuar në mënyrë flagrante gjatë darkës së organizuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pwrcjell “Kosova Sot Online”.

Haradinaj-Stublla thotë se trajtimi i zbehtë diplomatik që iu bë Kosovës në Athinë dhe nënçmimi që Greqia ia bëri Shqipërisë, tregon që shqiptarët faktorizohen vetmë kur janë bashkë dhe asnjëherë të ndarë.

Reagimi i plotë i ish-ministres Haradinaj-Stublla:

5 MËSIME ME PASOJA, NGA  ATHINA:

1. Largimi i Serbisë nga Rusia është prioritet për BE-në kur përmendet Ballkani Perëndimor (shihet edhe në planin e uljes se prioriteti protokollar reflekton prioritetin politik). Për arritjen e qëllimit të saj, BE nuk e ka problem fare që Serbia të (keq)përdorë temën e Kosovës dhe të kërkojë nga anëtarët e forumit që të mos njihet ajo, siç bëri paturpësisht me Ukrainën dhe Greqinë në sytë e bartësve më të lartë institucional të BE-së.

2. Serbia edhe njëherë poshtëroi BE-në, duke shkelur me dy këmbë Marrëveshjen e Ohrit 2023 që u tha se u arrit me ndërmjetësimin e tyre vetëm muaj më parë me pikë të veçantë mospërfaqësimin dhe mospengimin e njëra tjetrës në arenën ndërkombëtare.

3. Postimi i Presidentit ukrainas Zelensky për takimin me Vuçiçin – me theks në respektimin e integritetit territorial dhe kufijve ekzistues – është goditje e rëndë diplomatike e Serbisë – që na rikthehet tani pas një kohe të gjatë prej se Kosova e ka rrëzuar si argument për shtetet mosnjohëse kur fitoi betejën në GJND dhe kur formalizoi njohjen nga Izraeli.

4. Trajtimi i zbehtë diplomatik që iu bë Kosovës në Athinë, dhe nënçmimi që iu bë Shqipërisë për të njejtën ngjarje, dëshmon që shqiptarët në rajon dhe në Evropë – do të faktorizohen e trajtohen me respekt vetëm kur janë të bashkërenduar, e asnjëherë të përçarë siç janë sot!

5. Dështimi flagrant i Kosovës në Athinë – me deklaratë poshtëruese të Vuçiçit për rikonfirmim të mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina e Greqia (pa mohim nga ana e tyre) është mësim me pasoja afatgjata se diplomacia kosovare pa SHBA-në është si njeriu pa oksigjen, dhe angazhimi i Kosovës në dialog të ndërmjetësuar nga BE (në rrethanat aktuale mosnjohëse) është kundërproduktiv dhe humbje kohe.

(Kosova Sot Online)