Sipas Prokurorisë këta janë disa nga emrat e personave nga Kosova të dyshuar për korrupsion

  • A.P /
  • 23 August 2023 - 15:48
Sipas Prokurorisë këta janë disa nga emrat e personave nga Kosova të dyshuar për korrupsion

Ndaj 10 personave të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Raportohet se në mesin e të akuzuarve është edhe Betim Reçica, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës.

I akuzuar gjithashtu është edhe Izedin Bytyqi, edhe ky dikur sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës.

E akuzuar është edhe Valmira Bllaca, e cila një kohë ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së Divizonit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

I akuzuar është edhe Muhamet Gashi. Ky i fundit në kohën e qeverisë Hoti ishte emëruar zv/ministër i Infrastrukturës.

I akuzuar është edhe Zymer Abdullahu që një kohë ishte emëruar sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës. Kohë kjo kur kishte përplasje për pozitën e sekretarit me Izedin Bytyqin.

Jetmir Alaj gjithashtu ishte pjesë e Ministrisë së Infrastrukturës.

Përveç zyrtarëve të Ministrisë, të akuzuar janë edhe tre ish-udhëheqës të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Fjala është për tre ish-drejtuesit e Gjykatës së Tenderëve (Organit Shqyrtues të Prokurimit), Blerim Dina (ish-kryetar i Bordit), Goran Milenkoviq (anëtar) dhe Nuhi Paçarizi (anëtar) kanë deklaruar pasuri në vlerë prej rreth 1 milion euro.

Ish-sekretari Reçica është gjithashtu i akuzuar edhe për një tender lidhur me Autostradën e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, Betim Reçica, në cilësinë e ish- u.d drejtorit të prokurimit brenda Ministrisë së Infrastrukturës kishte ndikuar tek anëtarët e komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të Autostradës së Gjilanit. Këtë vepër sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.

Sipas Prokurorisë, të gjithë këta persona të akuzuar sot dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special, kundër dhjetë (10) të pandehurve me inicialet B.R. V.B. Z.A. J.A. E.M. B.D. N.P. G.M. I.B dhe M.G”, thuhet në njoftim.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit e lartcekur në cilësinë e personave zyrtar, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe, me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore”, bëhet e ditur më tutje.

“Me këto veprime të pandehurit B.R. V.B. Z.A. J.A. E.M. B.D. N.P. G.M. I.B dhe M.G. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, sanksionuar nga neni 414 paragrafin 2, lidhur 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, e pandehura V.B. akuzohet edhe për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumentit zyrtar’’, nga neni 427 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Ankesat e qeverisë ndaj gjyqësorit

Pas veprimit të organeve të drejtësisë ndaj disa njerëzve në qeverinë aktuale, kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarët e kësaj qeveria kanë akuzuar sistemin e drejtësisë se është e ndikuar nga qeveritë e kaluara.

Ata kanë pretenduar se drejtësia po vepron vetëm ndaj njerëzve të VV-së.

Pas arrestimeve të zyrtarëve të MINT-it, që dyshohen për keqpërdorim të rezervave shtetërore, kryeministri Kurti nuk ka kursyer akuzat e ashpra ndaj sistemit të drejtësisë.

Ai ka thënë se organet e drejtësisë nuk po i marrin parasysh kallëzimet penale që zyrtarët e kësaj qeveria kanë deponuar në prokurori.

“Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё. Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit. Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t'i fshehin edhe shumё gjatё”, ka thënë Kurti në vide-mesazhin në të cilin ka mbrojtur ministren Rozeta Hajdari.

Akuza të njëjta ndaj sistemit të drejtësisë ka shprehur edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Këtë muaj bëhen 2 vite prejse pata dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale për rastin me keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq. Kallëzimit penal ia pata bashkangjitur edhe raportin e auditimit, i cili ndër tjera kishte gjetur se: - Vlera e pronave që parashihej të shpronësoheshin, në databazën e tatimit në pronë ishte rreth 6 milionë euro”, ka shkruar Murati.

(Kosova Sot Online)