Ja kush i kërkon QKUK-së t’i shmangë metodat regresive të trajtimit në Psikiatri

  • A.P /
  • 24 August 2023 - 17:19
Ja kush i kërkon QKUK-së t’i shmangë metodat regresive të trajtimit në Psikiatri

Një pacient, i moshës 50-vjeçare, ka vdekur mbrëmë në Klinikën e Psikiatrisë pasi dyshohet se ia kishte vënë flakën dhomës ku ai po merrte trajtim. Përveç tij, nga tymi e kanë pësuar edhe pesë persona tjerë – dy mjekë, dy infermiere dhe një paciente. Për këtë rast Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore në koordinim me policinë, që të ndriçohen rrethanat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për këtë rast ka reaguar organizata joqeveritare “QIPS”, e cila thotë se duhet të shmangen metodat e trajtimit të këtyre pacientëve me shtrëngim dhe pa vullnetin e tyre, duke përmendur këtu edhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Ne rikujtojmë se SHSKUK se duhet të shmangin metoda regresive të trajtimit të pacientëve, duke përfshirë këtu shtrëngimin e trajtimit të pavullnetshëm, ashtu siç rekomandohet edhe nga OBSH. Masa të tilla lejojnë dhe legjitimojnë vdekjet e pacientëve nga moskujdesja përkundër idesë se i “ruajnë nga vetvetja”. Nuk është vetëm kontrolli i mjaftueshëm që duhet të shtrohet në pyetje, por e gjithë politika e trajtimit të pavullnetshëm të pacientëve në qoftë se dëshirojmë që të sigurojmë se nuk do të ketë më raste të tilla”, thotë kjo organizatë.

Reagimi i plotë:

Në orët e vona të natës jemi informuar nga media mbi vdekjen e një pacienti i cili po merrte trajtim në Klinikën e Psikiatrisë brenda QKUK. Nga informatat e publikuara, pacienti ishte futur në dhomën e izolimit për trajtim të pavullnetshëm, ku është ndezë një zjarr i cili e vrau pacientin dhe shkaktoi lëndime tek persona të tjerë, duke përfshirë staf dhe një paciente tjetër. Në moment po dyshohet se, për shkak të mungesës së kontrollit adekuat, pacienti ka pasur mundësinë që të marrë një mjet me të cilin ndezi krevatin dhe rezultoi në fatalitet.

I shprehim ngushëllimet tona për familjen në ballë të kësaj tragjedie dhe urojmë shërim sa më të shpejtë për personat tjerë të ndikuar. Gjithashtu mirëpresim lajmin nga ShSKUK se janë në proces të vlerësimit të situatës dhe të ndëshkimit ndaj personave përgjegjës.

Sidoqoftë, ne rikujtojmë ShSKUK se duhet të shmangin metoda regresive të trajtimit të pacientëve, duke përfshirë këtu shtrëngimin e trajtimit të pavullnetshëm, ashtu siç rekomandohet edhe nga OBSH. Masa të tilla lejojnë dhe legjitimojnë vdekjet e pacientëve nga moskujdesja përkundër idesë se i “ruajnë nga vetvetja”. Nuk është vetëm kontrolli i mjaftueshëm që duhet të shtrohet në pyetje, por e gjithë politika e trajtimit të pavullnetshëm të pacientëve në qoftë se dëshirojmë që të sigurojmë se nuk do të ketë më raste të tilla.

Shpresojmë se ShSKUK, së bashku me Ministrin Arben Vitia, të ndërmarrin hapat e duhura dhe konform rekomandimeve të OBSH.

Për çdo eventualitet, ne do të vazhdojmë ta përcjellim situatën.


(Kosova Sot Online)