Gjermania ka dalë zyrtarisht nga recesioni

  • A.P /
  • 25 August 2023 - 17:41
Gjermania ka dalë zyrtarisht nga recesioni

Gjermania ka dalë nga recesioni, por mbetet në një fazë dobësie.

Ekonomia gjermane ishte në stanjacion në tremujorin e dytë të vitit 2023, njoftoi të premten Zyra Federale e Statistikave, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Megjithatë, pavarësisht mungesës së rritjes, Gjermania ka dalë zyrtarisht nga recesioni në të cilin hyri pas dy tremujorësh radhazi tkurrjeje ekonomike.

Shifrat e publikuara nga Destatis tregojnë se ekonomia më e madhe e Evropës pëtjetoi rritje zero nga prilli në qershor në krahasim me tremujorin e mëparshëm.

Në tremujorin e katërt të vitit 2022, prodhimi ekonomik kishte rënë me 0.4% dhe në tremujorin e parë 2023 me 0.1% krahasuar me tremujorët e mëparshëm.

“Pas rënieve të lehta në dy tremujorët e mëparshëm, ekonomia gjermane u stabilizua në pranverë,” tha Ruth Brand, presidente e Destatis.

Eksportet, të rëndësishme për ekonominë gjermane, ranë pak në tremujorin e dytë të 2023

Nga prilli në qershor, ekonomia gjermane shënoi rritje zero krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Konsumi dhe investimet rriten

Ekonomia u mbështet nga përmirësimi i konsumit dhe rritja e investimeve. Pas dy rënieve të njëpasnjëshme, shpenzimet e konsumatorëve u rritën me 0.1% në tremujorin e dytë të 2023 krahasuar me tremujorin e parë të 2023.

Pas zhvillimit pozitiv të tremujorit të mëparshëm, investimet janë rritur edhe në tremujorin e dytë të 2023. Për shembull, investimet në pajisje (makina dhe vetura) u rritën me 0.6% krahasuar me tremujorin paraardhës.

Sipas Destatis, eksportet, të cilat janë të rëndësishme për Produktin e Brendshëm Bruto të Gjermanisë megjithatë ranë lehtë (-1,6%) krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në të njëjtën periudhë, importet ranë edhe më shumë (-1.8%).

A do të vazhdojë stanjacioni?

Krahasuar me ekonomitë e tjera të mëdha perëndimore, vetëm Italia performoi më keq (-0.3%) se Gjermania në tremujorin e dytë. Sipas Destatis, SHBA shënuan rritje prej 0.6%, Franca 0.5% dhe Eurozona në tërësi prej 0.3%.

Në fillim të kësaj jave, Banka Qendrore e Gjermanisë, Deutsche Bundesbank parashikoi se ekonomia “pa shkëlqim” gjermane do të vazhdojë të jetë në stanjacion në tremujorin e tretë. Ajo “po përjeton ende një periudhë dobësie”, tha Banka në raportin e saj mujor.

FMN parashikon se Gjermania do të jetë e vetmja ekonomi e madhe e zhvilluar që do të tkurret këtë vit.

Norma vjetore e inflacionit në Gjermani u ngadalësua në 6.2% në korrik, kryesisht për shkak të çmimeve më të ulëta të energjisë, por ajo mbetet shumë mbi objektivin prej 2% të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane.

(Kosova Sot Online)