Kurti: Në Qeverinë e Republikës së Kosovës ne i japim prioritet artit

  • A.P /
  • 25 August 2023 - 23:00
Kurti: Në Qeverinë e Republikës së Kosovës ne i japim prioritet artit

Në hapjen e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë – FOTOIST dhe në ekspozitën “Rrethimi i Sarajevës”, të fotografit Paul Lowe, mori sot pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 Kurti tha se trajtimi i fotografisë si medium i barabartë me mediumet e tjera dhe padyshim përjetësimi i çasteve të jashtëzakonshme në një vend të rajonit tonë i cili ka vuajtur shumë nën rrethimin e forcave armike të organizuara nga Serbia asokohe, padyshim që bëhen bashkë në këto fotografi të cilët teksa janë të paharrueshme njëherë kur t’i shikojmë, gjithashtu na mësojnë se mënyra më e mirë për të mos harruar është duke kujtuar e përkujtuar, e aq më tepër kur kjo bëhet me një shije të lartë dhe me një estetikë të hollë.

Para shumë të pranishmëve, kryeministri Kurti theksoi se në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ne i japim prioritet artit edhe kulturës, sepse konsiderojmë që ato janë vetë sjellja e qytetarit në Republikë, e njëkohësisht edhe pjesë e rëndësishme e obligimit tonë për edukimin e gjithmbarshëm të të gjithë neve dhe të secilit prej nesh.

“Andaj, edhe ne mbështesim FOTOIST-in, dhe jo vetëm këtë’’, u shpreh ai.

Hapja e këtij festivali me ekspozitën “Rrethimi i Sarajevës”, sipas kryeministrit Kurti, na e paraqet edhe fotografinë e cila paraqet tmerrin e gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë, të rrethimit makabër të Sarajevës, e që jo shumë vite më pas u përsërit edhe në Kosovën tonë të dashur, me c’rast dhjetëra mijëra ishin viktimat pa dallim, vetëm dhe vetëm për shkak se dëshironin të jetonin në vendin e tyre dhe të lirë.

‘’Është kënaqësi të presim në Prishtinë mbi 25 artistë si pjesë e këtij festivali me veprat e tyre, me ekspozita, diskutime e shfaqje të filmave, e në mesin e këtyre pra janë edhe fotografët vendas si Jeton Karahoda e Ferdi Limani, por edhe artistë të famshëm si P.J. Harvey, Seamus Murphy, Paul Lowe, e Pierre e Alexandra Boulat’’, u shpreh kryeministri, duke thënë se i falënderon të gjithë ata dhe shumë të tjerë të cilët na bëjnë të ndjehemi krenarë, që në kryeqytetin e Republikës sonë, këtu në shesh publik, për të gjithë qytetarët mund të jemi edhe nikoqirë, por njëkohësisht edhe shikues të veprave të cilat kanë rëndësi artistike, por edhe historike e kulturore.

(Kosova Sot Online)