A po ia mundëson Vuçiq - Rusisë që të rekrutojë mercenarë nga Serbia?

  • A.P /
  • 27 August 2023 - 17:43
A po ia mundëson Vuçiq - Rusisë që të rekrutojë mercenarë nga Serbia?

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po ia mundëson Rusisë që të rekrutojë mercenarë nga Serbia me qëllim që t’i vrasin ukrainasit”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kështu u shpreh avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq në platformën X,  duke shtuar se deri më tani qindra serbë, nga Serbia dhe Republika Srpska në Bosnjë, janë bërë pjesë e njësive ushtarake ruse.

Stojkoviq pohon se Agjencia serbe për Siguri dhe Informacion (BIA) po e inkurajon rekrutimin krah forcave të Kremlinit.

“BIA për detyrë e ka ta parandalojë rekrutimin për Ushtrinë ruse, si përmes veprimeve kundërzbuluese ashtu edhe veprimeve kriminale-operative. Por nuk e pengon, në të kundërtën, ajo me sjelljen e saj po e inkurajon këtë. Kreu i BIA-s është Aleksandar Vulin, bashkëpunëtori më i ngushtë i Aleksandar Vuçiqit dhe ekzekutuesi besnik i tij”, theksoi ai.

Sipas avokatit, Vuçiq së bashku me kreun e serbëve në Bosnjë, Milorad Dodik po i inkurajojnë serbët e Republika Srpskas që të rekrutohen përkrah ushtrisë ruse.

“Aleksandar Vuçiq e fton Milorad Dodikun në të gjitha ngjarjet politike, siç është përurimi i stadiumit në Leskovc dhe ai inkurajon serbët nga Republika Srpska që të rekrutohen në Ushtrinë ruse për të vrarë ukrainasit në tokën e tyre”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)