Borrell flet pas grusht-shtetit në Gabon

  • A.P /
  • 31 August 2023 - 20:08
Borrell flet pas grusht-shtetit në Gabon

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të enjten tha se nuk ka ende plane për evakuimin e qytetarëve evropian nga Gaboni, një ditë pasi ushtria uzurpoi vendin afrikan, që rezultoi në anulim të zgjedhjeve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Duke iu drejtuar gazetarëve në qytetin spanjoll të Toledos, Borrell e krahasoi situatën në Gabon me atë në Niger, ku ushtarët hoqën presidentin e zgjedhur Mohamed Bazoum muajin e kaluar.

“Natyrisht, grushtet ushtarake nuk janë zgjidhja, por nuk duhet të harrojmë se në Gabon kishte pasur zgjedhje të parregullta” tha ai, duke argumentuar se një votë e manipuluar mund të përbënte një “grusht-shtet institucional” civil, raporton Deutsche Welle

Një grup oficerësh të lartë ushtarakë u shfaqën të mërkurën në TV për të njoftuar anulimin e rezultateve të zgjedhjeve të fundit të vendit, duke përmendur mungesën e besueshmërisë.

Të shtëna me armë shpërthyen në qendër të kryeqytetit, Libreville, menjëherë pasi komiteti zgjedhor i vendit qendror të Afrikës deklaroi të mërkurën se presidenti 64-vjeçar, Ali Bongo kishte fituar zgjedhjet me 64.27% të votave.

Udhëheqësit e grusht-shtetit e vendosën Bongon në arrest shtëpiak për “tradhti”, ndërsa figura të tjera të qeverisë ishin ndaluar me akuza të ndryshme. Më vonë ata vendosën kreun e Gardës së Republikës, gjeneralin Brice Clotaire Oligui Nguema si “president kalimtar”. Ai thuhet se është kushëri i presidentit të rrëzuar Ali Bongo.

E takimi i Toledos përfshiu ministrat e jashtëm të BE-së që diskutuan format për të mbështetur bllokun e Komunitetit Ekonomik Rajonal të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) në lidhje me grushtin e shtetit në Niger.

Gaboni, i vendosur në bregun perëndimor të Afrikës qendrore, nuk është anëtar i ECOWAS. Megjithatë, zhvillimet e fundit ngrenë shqetësime për stabilitetin politik në rajon.

(Kosova Sot Online)