Lirimi për mbrojtje në liri, 190 mijë euro është shuma totale e dorëzanisë që u pagua nga ish-kryetari i Shtërpcës dhe pesë të akuzuarit e tjerë

  • S.A /
  • 02 September 2023 - 08:24
Lirimi për mbrojtje  në liri, 190 mijë euro është shuma totale e dorëzanisë që u pagua nga ish-kryetari i Shtërpcës dhe pesë të akuzuarit e tjerë

190 mijë euro është shuma totale që ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq dhe pesë të akuzuarit tjerë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Milosavljeviq, Sasha Milosavleviq, Sasha Spasiq dhe Jadran Kostiq, të akuzuar për korrupsion në rastin “Brezovica 1”, kanë paguar për t’iu zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë, transmeton "Kosova Sot Online..

Në vendimin që e ka marrë dje Gjykata Themelore në Pejë, thuhet se të pandehurit Nikoliq i është pranuar dorëzania në shumën prej 50 mijë euro, e të cilën shumë i njëjti e ka deponuar në xhirollogarinë e gjykatës.

Kurse, i pandehuri Reciceviq, thuhet se ka paguar shumën prej 30 mijë euro në emër të dorëzanisë dhe e cila shumë është deponuar në xhirollogarinë e gjykatës.

Sipas vendimit, të akuzuarit Milosavljeviq, i është caktuar masa e dorëzanisë në shumën prej 20 mijë euro, e të cilën shumë duhet ta deponojë menjëherë në xhirollogarinë e gjykatës.

Tutje, thuhet se i akuzuari Milosavleviq ka paguar shumën prej 30 mijë euro, të cilën shumë e ka deponunar në xhirollogarinë e gjykatës.

Sipas vendimit, i akuzuari Spasiq ka paguar shumën prej 30 mijë euro në emër të dorëzanisë, e cila shumë po ashtu është deponuar në xhirollogari të gjykatës. Dhe i akuzuari Kostiq, thuhet se pagoi dorëzaninë në shumën 30 mijë euro, e cila shumë është deponuar në xhirollogarinë e gjykatës.

“Nëse të pandehurit e lartcekur nuk i përgjigjen thirrjeve të Gjykatës, mjetet e caktuara si dorëzani do të derdhen në fondin për kompensimin e viktimave të krimit, ndërsa të pandehurve do t’iu caktohet menjëherë masa e paraburgimit”, thuhet në vendim.

Kurse, për të pandehurin Raif Bajrami, Tringa Zhuti, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Pejë, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se i është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor.

Ndërsa, lidhur me atë se çfarë masash janë caktuar për të akuzuarit Hysni Bajrami, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Hysein Ajdini, Mustafë Hyseni, ende s’ka përgjigje nga gjykata.

Ndryshe, listës së të akuzuarve në këtë rast, i prin sh-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, duke u pasuar nga Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysein Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.

Në seancën e 3 prillit 2023 në Gjykatën Themelore në Pejë, në shtyrtimin fillestar, 11 të akuzuarit për korrupsion në rastin “Brezovica 1”: ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, si dhe Dimitrije Recicevic, Hysni Bajrami, Dragomir Milosavljeviq, Sasha Milosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Hysein Ajdini, Raif Bajrami, Sasha Spasiq dhe Jadran Kostiq, janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë. Kurse, i akuzuari Mustafë Hyseni, shef i departamentit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka kërkuar nga Prokuroria e Ferizajt, mundësinë e arritjes së marrëveshjës për pranim fajësie.

Bratislav Nikoliq, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, sipas aktit aktakuzes po akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.

Sipas aktit akuzues të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, akuzohet për katër vepra penale: Keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.

Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria e akuzon Nikoliqin se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.

Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon edhe Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajramin dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysen Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.

(Kosova Sot Online )