Konflikti i ka shkuar Putinit në 'derë të shtëpisë'

  • A.P /
  • 03 September 2023 - 10:50
Konflikti i ka shkuar Putinit në 'derë të shtëpisë'

“Ne do të ndërmerrnim një rrezik të madh dhe do të braktiseshim nga aleatët nëse armiqësitë do të arrinin në territorin e armikut.” Kjo deklaratë e bërë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një interviste gjatë fundjavës është një shembull i përsosur i luftës “në hije”, paralelisht me atë në terren, që po zhvillohet në Ukrainë. Në fakt, disa orë pas transmetimit të fjalimit, kryebashkiaku i Moskës Sergey Sobanyn njoftoi rrëzimin e një droni, në një zonë në juglindje të kryeqytetit, një inkursion që rezultoi në mbylljen e aeroporteve të Domodedovo dhe Vnukovo.”Elitat ruse dhe qytetarët e atij vendi tani e kuptojnë se lufta nuk është diçka e largët dhe se ajo tashmë ka mbërritur në kryeqytetin e tyre”, tha Andriy Yusov, zëdhënës i inteligjencës ushtarake ukrainase muajin e kaluar, por duke mos konfirmuar përgjegjësinë zyrtare të Kievit në fushata sulmesh në tokën ruse. Megjithatë, burimet amerikane kanë zbuluar se si dronët me rreze të gjatë të përdorur kundër energjisë bërthamore ishin nisur nga Ukraina. Avionët me rreze të shkurtër dhe pa pilot përdoren nga aleatët e Zelensky ose nga operativët e infiltruar pas linjave të armikut.

Goditjet e Kievit

Goditja e parë e bujshme e kësaj strategjie ishte rrëzimi nga Forcat e Mbrojtjes Ruse të dronëve mbi hapësirën ajrore të Kremlinit në maj. Që nga ai moment, bastisjet ndaj Moskës dhe të tjerëve janë shumuar dhe, megjithëse jo gjithmonë i kanë arritur objektivat e përcaktuara, kanë lënë gjurmë në psikikën e popullatës, duke minuar idenë e paprekshmërisë së territorit kombëtar.  Në javët e fundit, operacionet ndërkufitare të Kievit janë bërë më të guximshme me shkatërrimin e një bombarduesi supersonik në një bazë ajrore në Shën Petersburg dhe një goditje me 42 dronë mbi Krime. Intensifikimi i sulmeve në Rusi duket se përçon një mesazh rezistence kundër agresorëve dhe kërkon të mbjellë dyshime për fuqinë efektive të regjimit të Vladimir Putinit.

Sfidat e Rusisë

Megjithatë, sipas analistëve të ndryshëm, fushata e Zelenskyt ka sjellë një rritje të mbështetjes ruse për konfliktin. Tatiana Stanovaya, analiste në Carnegie Endowment for International Peace, argumenton se frika për t’u ndjerë e pambrojtur e shtyn popullatën të mbështesë komandantin e tyre të përgjithshëm. Të vetmet “përçarje” të mundshme ishin brenda elites së vendit, por eliminimi i Yevgeny Prigozhin, kreut të grupit Wagner, duket se ka “mbytur” për momentin çdo formë mospajtimi. Bastisjet në Rusi kanë gjithashtu një objektiv tjetër. Në fakt, presidenti ukrainas Zelensky synon të qetësojë popullin e tij se, pavarësisht se kundërsulmi nuk eci me shpejtësinë e pritur, vendi është i aftë jo vetëm të mbrohet, por edhe të godasë në zemër të armikut.  Rusët kanë përdorur prej kohësh dronët e furnizuar nga Irani kundër kundërshtarëve të tyre, por në numër më të madh dhe me pasoja më vdekjeprurëse. Nëse qëllimi i tyre ishte të thyenin vullnetin e ukrainasve, nuk rezultoi kështu.“New York Times” ngre një paralele me bombardimet naziste të Londrës gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar se si ata forcuan konsensusin rreth kryeministrit britanik Winston Churchill, pikërisht e kundërta e planit të Adolf Hitlerit.

“Lufta në shtëpi”

Sakaq, ka qenë vetë kreu i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Kyrylo Budanov, që, ka zbuluar se ata po punojë nga Brenda territorit rus. Budanov foli konkretisht për sulmin në aeroportin e Pskovit, i cili ndodhi natën mes të mërkurës dhe të enjtes. “Ne punojmë nga territori i Rusisë”, tha ai, raportoi RBC-Ukrainë. Dikush mund të mendojë se episodi i treguar është një nga goditjet e shumta të zakonshme. Por në fakt, deklaratat e Budanov tregojnë se Kievi mund të ketë arritur disi të sjellë “luftën” në shtëpinë e Kremlinit. Në konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë, fluturimet me dron nuk kanë gjasa të jenë një ndryshim i vërtetë i lojës, i aftë për të shkaktuar kolapsin e frontit të brendshëm në secilin vend. Megjithatë, duke pasur parasysh se sa e rëndësishme është simbolika, Putini dhe Zelensky do të vazhdojnë t’i përdorin ato.

(Kosova Sot Online)