40-vjeçarja që vrau motrën e saj: U vetëmbrojta, na kërcënoi mua dhe mamanë

  • A.P /
  • 03 September 2023 - 13:57
40-vjeçarja që vrau motrën e saj: U vetëmbrojta, na kërcënoi mua dhe mamanë

Kjo është Amanda Pushani, 37-vjeçarja e cila u qëllua për vdekje me thikë nga motra e saj në Tiranë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndërsa vajza brune, është autorja, Marsela Pushani, 40-vjeçe, tashmë në prangat e policisë pas krimit të rëndë.

Në dëshminë e saj, Marsela Pushani ka deklaruar se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe se nuk donte ta vriste motrën.

Sipas saj, Amanda ishte e alkoolizuar dhe agresive në familje. Ditën e djeshme, kur ka ndodhur tragjedia, sipas dëshmisë së Marselës, Amanda ka kërcënuar ta vrasë atë dhe nënën.

“Veprova në kushtet e vetëmbrojtjes, na kërcënoi se do na vriste. Prej më shumë se 10 vitesh motra Amanda Pushani ishte e alkoolizuar dhe problematike. Debatuam me të që të linte alkoolin, Amanda më kërcënoi mua dhe mamanë”, ka thënë 40-vjeçarja kur është marrë në pyetje nga policia.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 11:40 në rrugën “Hajdar Hidri”.

Fillimisht u raportua për vdekje natyrale dhe familjarët tentuan ta fshihnin ngjarjen, por policia ka konstatuar se vdekja e 37-vjeçares ka ardhur si pasojë e një plage me thikë në stomak.

Familjarë të tjerë të viktimës janë shoqëruar për tu marrë në pyetje.


(Kosova Sot Online)