Gjykata Kushtetuese: Falja e 100 eurove të tatimit në pronë nuk mund të bëhet deri më këtë datë

  • A.P /
  • 04 September 2023 - 13:57
Gjykata Kushtetuese: Falja e 100 eurove të tatimit në pronë nuk mund të bëhet deri më këtë datë

Lidhur me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka vendosur masë të përkohshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Rrjedhimisht falja e 100 eurove të tatimit në pronë nuk mund të bëhet deri më 30 nëntor 2023, atëherë kur të ka një vendim përfundimtar nga Kushtetuesja për këtë Ligj.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për faljen e tatimit të pronë prej 100 eurove nga komunat e vendit. Kjo masë e përkohshme do të vlejë deri më 30 nëntor 2023.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se masa e përkohshme është vendosur “për t’u evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme” ose që masa e përkohshme është në “interes publik.”

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

“Vendimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt. Bazuar në këtë dispozitë, parashtruesi i kërkesës kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Neni i kontestuar përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) falja tatimore zbatohet vetëm për vitin tatimor 2023; dhe (vi) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të asaj komune dhe Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite.” – thuhet tutje.

"Në ndërlidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, Vendimi i Gjykatës sqaron që kriteret për vendosjen e saj janë të përcaktuara me nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullat 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) dhe 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës. Sipas këtyre dispozitave, ndër tjerash, përcaktohet që vendosja e masës së përkohshme ndërlidhet me (i) “çështjen që është objekt i procedurës para saj [Gjykatës]”, me kushtin që pala që kërkon masë të përkohshme të dëshmojë se (ii) masa e përkohshme është e nevojshme “për t’u evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme” ose që masa e përkohshme është në “interes publik” - thuhet në njoftimin e GJK-së.

Ligji për Tatimit në Pronë të Paluajtshme në Gjykatë Kushtetuese ishte dërguar nga kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Totaj kishte kërkuar që Gjykata të vendosë një masë parandaluese ndaj ligjit.

“Na sot kemi dal në Gjykatë Kushtetuese, e kemi dorëzuar një kërkesë për shqyrtimin e ligjshmërisë dhe ligjit për takimin në pronë, respektivisht për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë, mbas themelimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo është hera e parë që komunat e bëjnë një kërkesë të tillë, sepse kemi të bëjmë me ndërhyrje në kërkesat vetanake të komunave, për sa i përket autonomisë financiare edhe direkt në tentim të zvogëlimit të të hyrave buxhetore, që qeveria do të mund të shkaktonte po që se ky ligj miratohet nga ana e komunave”.

“Ne e pamë të udhës që të kontestojmë apo të kërkojmë një shpjegim, një kjartësim nga ana e gjykatës kushtetuese, por njëkohësisht deri sa vendimi të merret, kërkuam një masë parandaluese apo masë mbrojtëse që mos të kemi dëme, unë kam marrë autorizimin nga Bordi i AKK, që të bëjmë një gjë të tillë edhe e kam dorëzuar kërkesën në emër të komunës së Prizrenit, mirëpo probleme të njëjta i kanë po thuajse të gjitha komunat e Kosovës dhe një vendim eventual pozitiv, që ne e presim se do të merret nga Gjykata Kushtetuese do të vlejë për të gjitha komunat e jo vetëm për Prizrenin.” – kishte thënë ai.

(Kosova Sot Online)