Pse në Serbi e duan BRICS-in? Në rezolutën e saj nuk ka parakushte siç ka nga ana e BE-së për njohjen e Kosovës

  • E.K /
  • 04 September 2023 - 14:18
Pse në Serbi e duan BRICS-in? Në rezolutën e saj nuk ka parakushte siç ka nga ana e BE-së për njohjen e Kosovës

BRICS-i para Bashkimit Evropian. Një propozim të tillë e bëri një pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi.

Dy deputetë të Lëvizjes Socialiste paraqitën në Parlament draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS.

Grupi BRICS përbëhet nga: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Republika e Afrikës së Jugut, ndërsa Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në draft-rezolutë thuhet se anëtarësimi i Serbisë në atë grup duhet të jetë një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike dhe kombëtare.

Një nga propozuesit e këtij dokumenti, deputeti Gjorgje Komllenski, thotë për Radion Evropa e Lirë se motivi kryesor është se këta deputetë besojnë se BE-ja nuk është alternativa e vetme për Serbinë.

Propozimi u bë nga partia, kryetar i së cilës deri vonë ishte Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Për shkak të zgjedhjes në krye të BIA-s, Vulin e ngriu pozicionin e tij në parti në fund të nëntorit, 2022.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e futën Vulinin në listën e sanksioneve, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe përfshirje në trafikun e drogës, si dhe për lidhje me Rusinë.

Draft-rezoluta serbe për anëtarësimin në BRICS erdhi pak ditë pas samitit të këtij grupi, i cili u mbajt në Johanesburg të Afrikës së Jugut, në fund të gushtit.

Në këtë samit, ftesë për t’iu bashkuar grupit morën gjashtë vende: Arabia Saudite, Irani, Etiopia, Egjipti, Argjentina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Çfarë shkruan në draft-rezolutë?

Në draft-rezolutën për anëtarësimin e Serbisë në BRICS thuhet se “e ashtuquajtura rrugë evropiane e Serbisë ka një alternativë në BRICS” dhe e përshkruan atë si “procesin më aktual integrues ekonomiko-politik”.

“Ne e mbështesim një rend botëror që do t’i kufizonte dekadat e hegjemonisë perëndimore”, thuhet, ndër të tjera, në draft-rezolutë.

Aty, gjithashtu, thuhet se politika e jashtme e “Perëndimit kolektiv është shpesh në konflikt me interesat jetike, shtetërore dhe kombëtare” të Serbisë.

Sipas draft-rezolutës, vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Serbisë në BRICS duhet ta marrin qytetarët nëpërmjet referendumit.

Thuhet, po ashtu, se kjo nismë nuk nënkupton ndalimin e integrimit evropian.

Komllenski thotë për Radion Evropa e Lirë se BRICS-i, pa marrë parasysh anëtarësimin në BE, mund të jetë shumë i dobishëm për Serbinë.

Sipas tij, do të hapej një hapësirë shumë më e madhe sa i përket ekonomisë dhe tregtisë, në raport me BE-në.

“E dyta është se [nga BRICS-i] nuk ka parakushte siç ka nga ana e BE-së për Kosovën, për njohjen e saj, apo siç përpiqen ta quajnë – harmonizimin e marrëdhënieve”, thotë Komllenski.

Krahas harmonizimit të legjislacionit me BE-në, Serbisë i kërkohet edhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, si kusht për përparim drejt bllokut evropian.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 – tre vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë.

I pyetur nëse për draft-rezolutën kanë mbështetjen e partnerëve të koalicionit nga Partia Përparimtare Serbe, Komllenski thotë se kjo do të shihet kur të fillojnë seancat e rregullta parlamentare.

“Do të shohim kur të propozohen ndryshimet në rendin e ditës se sa do të ketë mbështetje. Nuk ka pasur marrëveshje të mëparshme”, thotë ai.

Çfarë thonë partitë në pushtet?

Grupi parlamentar i Partisë Përparimtare Serbe, e cila është partia kryesore e koalicionit qeverisës, nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se cili është qëndrimi i saj sa i përket anëtarësimit në BRICS.

REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt as me shefin e grupit parlamentar të kësaj partie, as me partnerët e koalicionit.

Kritika për draft-rezolutën për anëtarësimin në BRICS bëri një anëtare më e vogël e koalicionit qeverisës – Lëvizja Serbe për Rindërtim.

Kryetari i kësaj partie dhe ish-shefi i diplomacisë serbe, Vuk Drashkoviq, tha se ky propozim as që duhet të shqyrtohet.

Më 30 gusht, Drashkoviq i tha agjencisë serbe të lajmeve, Beta, se rruga evropiane është “e vetmja e arsyeshme për Serbinë”.

(Kosova Sot Online)