Dëshmitari Agim Idrizi fillon dëshminë për pretendimin se e ndaloi UÇK-ja

  • A.P /
  • 04 September 2023 - 18:04
Dëshmitari Agim Idrizi fillon dëshminë për pretendimin se e ndaloi UÇK-ja

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 21-të (me kodin 0418), Agim Idrizi, i cili do të dëshmojë në vazhdim për rrëmbimin dhe ndalimin e tij të pretenduar nga pjesëtarët e UÇK-së në vitin 1999.

Paraprakisht, nga ana e trupit gjykues është dhënë një urdhër gojor lidhur me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së), raporton “Betimi për Drejtësi”.

ZPS-ja ka kërkuar që të ndryshohet lista e provave materiale dhe atë të shtohen dokumentet që përmbajnë katër fotografi lidhur me objektin ku pretendohet se dëshmitari Idrizi ka qenë i ndaluar.

Por që, mbrojtja e ka kundërshtuar me arsyetimin se këto dokumente është dashur të shtohen në listë kur kanë rënë në dorën e Prokurorisë dhe se vonesat e tilla janë të papranueshme.

Andaj, trupi gjykues mohoi kërkesën e ZPS-së pasi që u tha se ZPS-ja ka kohë që i ka pasur këto fotografi dhe se nuk mund të kuptohet arsyeja se pse nuk janë shtuar më herët dhe se për ta duket se vlera provuese e tyre është e vogël.

Më pas, nga ana e prokurorit James Pace, dëshmitari Idrizi u pyet për deklaratat e mëparshme dhe se të paraqitura në ekran, i njëjti i pranoi si dëshmi të tij dhe konfirmoi nënshkrimet e tij.

Gjithashtu, dëshmitari tha se sqarimet dhe korrigjimet në seancën përgatitore janë paraqitur saktë në shënimin zyrtar.

Në këto rrethana, u pranuan si provë materiale deklarimet e mëhershme, provat shoqëruese dhe shënimi përgatitor.

Nga ana e prokurorit, u lexua një pjesë e përmbledhjes së dëshmisë së dëshmitari dhe duke qenë se ishte fundi i orarit të punës së gjykatës, pjesa tjetër e përmbledhjes mbeti të lexohet në seancën e së nesërme.

Lidhur me këtë dëshmitar, prokurori Pace tha se Idrizi është shqiptar i Kosovës dhe që është marrë nga disa anëtarë të UÇK-së në mars të vitit 1999.

Para ndalimit, thuhet se dëshmitari ka shitur drunjë për disa policë serbë dhe se ai ka mbështetur UÇK-në por se nuk është kyçur asnjëherë në UÇK.

Tutje, u tha se ai dhe tre persona të tjerë janë mbajtur të ndaluar dhe janë rrahur keq, madje thuhet se nuk i është dhënë as ujë dhe nuk i është treguar arsyeja e ndalimit.

Kurse, në vazhdim u tha se ai dhe të ndaluar tjerë janë transferuar në këmbë në një vend tjetër dhe kanë qëndruar me duar të lidhura me shumë persona të tjerë, se kanë fjetur në dysheme dhe janë ushqyer vetëm me bukë.

Përderisa të tjerët janë liruar më 8 mars, prokurori Pace lexoi se dëshmitari është transferuar në Kaçanik gjatë natës dhe i mbajtur me duar të lidhura tri ditë është detyruar të flejë jashtë me temperatura të ulëta.

Po ashtu, u tha se dëshmitari është mbajtur edhe pa ushqim edhe pa ujë, është rrahur keq dhe është marrë në pyetje për kontaktet me serbët para se të ndalohej.

Leximi i pjesës tjetër të përmbledhjes së dëshmisë së dëshmitarit do të bëhet në seancën e nesërme dhe do të vazhdohet me dëgjimin e tij nga palët në procedurë dhe mbrojtësi i viktimave.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari thotë se kanë dorëzuar armët në vend se të kyçeshin në UÇK

(E përditësuar, ora 16:55)-Dëshmitari i 20-të (me kodin 04368), duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Eric Tully ka thënë se ai dhe anëtarët e familjes së tij kanë dorëzuar armët në vend se të kyçeshin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këtë ai e tha së seancën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ai sqaroi se kishin dorëzuar dy kallash dhe një pistoletë, duke sqaruar se UÇK-ja ka kërkuar ose ata të kyçen në UÇK me armët e tyre ose nëse nuk kyçen, t’i dorëzojnë armët.

‘‘Ata sigurisht e kanë pas frikën mos po i vrasim, mos po i sulmojmë me ato armë’’, tha dëshmitari.

Tutje, kur u pyet se pasi që kishin kaluar gjashtë muaj që nga arrestimi i të afërmit numër 1 dhe dorëzimit të armëve, nëse do kishte kërcënim real sa i takon atij dhe familjes së tij, a nuk do t’ua kishte kërkuar UÇK-ja që armët t’i dorëzojnë më herët, përgjigja ka qenë me përmbajtje të redaktuar.

Ndërkaq, në vazhdim u tha se pas dorëzimit të armëve, asnjë anëtarë i UÇK-së nuk i ka sulmuar apo nuk ka tentuar të i dëmtojë atë apo familjen e tij.

Duke qenë se të tjerët nuk kanë pasur më pyetje për dëshmitarin, atë ka filluar ta marr në pyetje trupi gjykues.

Por, me kërkesë të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Christoph Barthe është kaluar në sesion privat për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit dhe të tjerëve dhe kështu pothuajse gjitha pyetjet e trupit gjykues janë zhvilluar në seancë private.

Pyetja e gjykatësit Fergal Gaynor se a mund ta konfirmonte se i afërmi numër 1 ishte rrëmbyer për arsye private dhe cila mund të ketë qenë kjo arsye, e që dëshmitari tha se arrestimi nuk është bërë nga njerëz privat por është marr nga UÇK-ja.

E kur u pyet pse, përmbajtja ka qenë e redaktuar derisa seanca ka filluar duke bërë pyetje sërish avokati Gregory Kehoe lidhur me një shit-blerje të një toke të dëshmitarit nga një serb.

Dëshmitari pohoi se blerja ishte bërë nga një serb dhe se tokën e kishin lënë në emër të tij pasi nuk ishte lejuar të bëhej një transferim i titullarit të pronës nga serbi tek shqiptari.

Ai po ashtu tha se për këtë gjë kanë qenë në njohuri edhe fshatarët e tjerë dhe se sikurse herë të tjera, një pjesë e përgjigjeve të tij kanë qenë të redaktuara.

Në këto rrethana, dëshmitari i 20-të ka përfunduar dëshminë e tij në këtë çështje.


(Kosova Sot Online)