Erdogan jep detaje pas takimit me Putinin

  • A.P /
  • 04 September 2023 - 18:55
Erdogan jep detaje pas takimit me Putinin

Ukraina duhet të “zbusë” qasjen e saj për të ringjallur marrëveshjen e grurit të Detit të Zi, nga e cila Rusia u tërhoq në korrik, tha të hënën presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Për të qenë në gjendje të ndërmarrë hapa të përbashkët me Rusinë, Ukraina duhet të zbusë qasjen e saj. Sidomos tani, gruri i cili do të dërgohet në vendet afrikane më pak të zhvilluara të goditura nga varfëria është i rëndësishëm,” tha Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi me Putin pas takimit.

“Putini me të drejtë nuk e aprovon nëse 44% e grurit shkon në vendet evropiane”, shtoi lideri turk. Erdogan tha se Turqia ka përgatitur një propozim të ri me Kombet e Bashkuara për të rikthyer marrëveshjen e grurit, e cila përfshin “përmirësime të rëndësishme”.

“Nga pala turke, besoj se do të jemi në gjendje të arrijmë së shpejti një zgjidhje e cila përmbush pritshmëritë (për sa i përket marrëveshjes së grurit)”, tha ai.

Marrëveshja e mëparshme e grurit nga e cila u tërhoq Rusia, u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara. Ajo zgjati rreth një vit dhe lejoi miliarda dollarë drithë dhe grurë të kalonin në mënyrë të sigurtë nga Ukraina e shkatërruar nga lufta përmes Detit të Zi.

(Kosova Sot Online)