Pushteti me infografikë të re: Shpërndarja e librave ndryshoi për shkak të abuzimeve

  • A.P /
  • 05 September 2023 - 16:56
Pushteti me infografikë të re: Shpërndarja e librave ndryshoi për shkak të abuzimeve

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka publikuar një infografikë dhe ka thënë se në periudhën 2008-2022 tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit 124 milionë e 803 mijë euro, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Në periudhën 2008-2022 (14 vite) tekstet shkollore i kanë kushtuar shtetit 124,803,403.00 €. Asnjëherë më parë, nuk është zhvilluar një analizë, vlerësim apo reflektim lidhur me furnizimin me tekste si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e procedurave të ndjekura. Procesi më shumë ka qenë i fokusuar në biznes e transaksione shitblerjesh sesa rritje të cilësisë. Janë rritur vetëm çmimet e teksteve.”

Ai ka shkruar se ka pasur raportime publike rreth keqpërdorimeve në procesin e shpërndarjes së teksteve, stoqe të mbetura në bodrumet e shkollave dhe blerje të teksteve të panevojshme.

“Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga raporti i auditorit, ku është konstatuar se brenda një viti të vetëm këto keqpërdorime kanë kapur vlerën prej afro 500,000 €.”

Ai ka thënë se nëse këtë vit do të vazhdohej me të njëjtën praktikë është parallogaritur shpenzimi i 8 milionë e 29 mijë e 717 euro për blerjen e teksteve shkollore nga klasa I deri V.

“Janë ndarë 6,323,380 € për ta përmbushur obligimin për tekste shkollore për të gjithë nxënësit nga klasa I deri V dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë ka ndarë 6,617,340 € për të mbështetur nxënësit e klasave I deri IX me materiale mësimore. Të gjitha mjetet po dalin në llogari të prindërve, të cilët në bashkëpunim me mësimdhënësit po i blejnë librat e nevojshëm.”

Ai ka shkruar se është e mundur të ndalet abuzimi.

“Pra, është e mundur të ndalet abuzimi, të jemi transparent me buxhetin e shtetit dhe të furnizohen nxënësit me tekste shkollore ndërkohë që nuk ndjejmë keqardhje për ata që kanë qenë të përfshirë në këto praktika.”


(Kosova Sot Online)