Kërcënimi i Dodikut ndaj Schmidt, reagon SHBA: Pretendim qesharak e sulm tjetër që çon në izolim

  • S.A /
  • 07 September 2023 - 12:18
Kërcënimi i Dodikut ndaj Schmidt, reagon SHBA: Pretendim qesharak e sulm tjetër që çon në izolim

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka thënë të mërkurën se do t’ia ndalojë hyrjen në entitetin serb të Bosnjës dhe Hercegovinës përfaqësuesit të lartë të Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnjë, Christian Schmidt, transmeton "Kosova Sot Online".

Për këtë kërcënim të Dodikut, sot ka reaguar ambasada e SHBA-së në Sarajevë, e cila tha se pretendimit e Dodikut janë edhe qesharake.

“Kërcënimi i Milorad Dodik për të parandaluar hyrjen e Përfaqësuesit të Lartë në entitetin Republika Srpska të Bosnje dhe Hercegovinës (BiH) dhe për të kufizuar lirinë e tij të lëvizjes është jokushtetues. Ky përfaqëson një sulm tjetër të qëllimshëm nga z. Dodik mbi Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, rendin kushtetues të BiH dhe shtetin e BiH”.

Përfaqësuesi i Lartë është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i detyron zyrtarët të bashkëpunojnë me të dhe ai gëzon status diplomatik në të gjithë BiH sipas Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.

“Kërcënimet e pamatura dhe pretendimet qesharake të zotit Dodik për statusin dhe autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë janë të papranueshme dhe përfaqësojnë një hap tjetër në rrugën e rrezikshme që ai ka zgjedhur – një rrugë izolimi”, ka thënë SHBA, e cila muaj më parë e ka futur Dodikun në listën e zezë.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Përfaqësuesin e Lartë dhe përdorimin e tij të Fuqive të Bonit kur është e nevojshme dhe do të vazhdojë të mbajë përgjegjës ata individë që përfshihen në sjellje anti-Dayton”, thuhet në reagim. Njoftimi i Dodik për ndalimin e hyrjes së Schmidt vjen vetëm pak kohë pasi prokurorët ngrenë padi ndaj Dodikut për kalimin e ligjeve që do t’ua mundësojë entitetit serb të Bosnjës – i njohur si Republika Sërpska – anashkalimin apo injorimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnjë dhe të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne nuk e respektojmë Schmidtin”, tha Dodik para mediave në Banja Llukë, kryeqytetin e Republikës Sërpska.

“Që nga mëngjesi i sotëm, jemi duke e përpunuar një dekret për mënyrën se si ta kthejmë atë mbrapshtë, dhe se si ta arrestojmë nëse ai vjen këtu”, shtoi Dodik.

(Kosova Sot Online )